Dembélé si Eusébio e Platini, ‘mallkimi’ i Topit të Artë në Botëror vazhdon
Ousmane Dembélé humbi mundësinë për t’u bërë lojtari i parë në histori që fiton Kupën e Botës në vitin kur mban edhe çmimin “Topi i Artë”, duke vazhduar kështu një “mallkim” që ka prekur më parë legjenda të futbollit si Eusébio dhe Michel Platini.
Eliminimi i Francës në gjysmëfinalen e Botërorit 2026, pas humbjes 0-2 ndaj Spanjës, i dha fund ëndrrës së sulmuesit të Paris Saint-Germain për të shkruar historinë.
Dembélé nuk arriti ta thyente këtë tabu. Francezi ishte lojtari me shanset më të mëdha për të realizuar një arritje të tillë, pasi asnjë fitues i “Topit të Artë” nuk ka arritur më parë të shpallet kampion bote në të njëjtin vit.
Para tij, edhe Ronaldo Nazario dështoi në këtë mision. Sulmuesi brazilian, pasi fitoi “Topin e Artë” në vitin 1997, arriti deri në finalen e Botërorit 1998, por Brazili u mposht 3-0 nga Franca në ndeshjen për titullin.
Në mënyrë ironike, Dembélé i është bashkuar një liste shumë të shkurtër të fituesve të “Topit të Artë” që janë eliminuar në gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Para tij, këtë fat e patën vetëm dy emra të mëdhenj të futbollit: Eusébio me Portugalinë në Botërorin 1966 dhe Michel Platini me Francën në vitin 1986.
Të tjerë fitues të çmimit më prestigjioz individual kanë shkuar edhe më larg, por kanë humbur në finalen e Botërorit. I tillë ishte rasti i Gianni Riveras me Italinë në vitin 1970, Johan Cruyff me Holandën në 1974, Karl-Heinz Rummenigge me Gjermaninë në 1982, Roberto Baggio me Italinë në 1994 dhe Ronaldo Nazarios në 1998.
Edhe ‘yje’ të epokës moderne nuk kanë mundur ta thyejnë këtë “mallkim”. Cristiano Ronaldo, fitues i “Topit të Artë” në vitin 2013, u eliminua në fazën e grupeve në Botërorin 2014 dhe në 1/8 e finaleve në 2018. Lionel Messi, pas triumfit në vitin 2009, u ndal në çerekfinalet e Botërorit 2010.
Kështu, historia vazhdon të tregojë se fitimi i “Topit të Artë” nuk garanton sukses në Kupën e Botës, madje shpeshherë është shoqëruar me zhgënjim në skenën më të madhe të futbollit.