Hitaj: Qeveria ndjeu goditjen e protestës, Rama është i plagosur politikisht
I ftuar në "Kafe Shqeto" në SYRI TV, gazetari Arber Hitaj deklaroi se pakënaqësia qytetare ndaj qeverisjes së Edi Ramës ka hyrë në një fazë të re, ku protesta nuk është më thjesht një reagim ndaj një çështjeje të caktuar, por një përballje me një model të konsoliduar pushteti.
Ai theksoi se, sulmet e mazhorancës ndaj qytetarëve që dalin në shesh tregojnë shqetësimin e qeverisë për përballjen me një revoltë që po tejkalon ndarjet tradicionale politike.
Hitaj theksoi se Edi Rama është politikisht i dobësuar, por jo i rrëzuar, pasi mekanizmat e pushtetit vazhdojnë t'i japin qeverisë mundësi për t'u rikuperuar.
Ai u shpreh qartë se kjo është arsyeja pse energjia e protestës duhet të shndërrohet në një alternativë të re politike, në mënyrë që pakënaqësia qytetare të mos mbetet vetëm në rrugë, por të prodhojë ndryshim real.
Pjesë nga deklarata:
Unë kam qenë dhe vijoj të jem kundër asaj qasjeje që ka zoti Rama, i cili merret me individë që marrin pjesë në protestë. Ata kanë peshën e tyre specifike, por nuk janë drejtuesit e protestës. Pra, për mua është totalisht e gabuar që janë marrë me njerëz të cilët edhe i njohim. Ti i njeh dhe unë i njoh. Ata që i njohim personalisht, ndoshta publiku i gjerë nuk i njeh. Janë njerëz që, në përgjithësi, nuk kanë bërë dëme, nuk kanë pasur të drejtë firme dhe, me sa di unë, nuk kanë probleme me korrupsionin. Pra, janë njerëz që kanë ngritur zërin e tyre për çështje të caktuara, të cilët mund të kenë afilacionin ose të kenë pasur afilacionin e vet politik, por nuk kanë bërë dëme ndaj vendit. Kështu që, për mua, është totalisht e gabuar qasja që ka pasur mazhoranca, duke sulmuar individë të ndryshëm, dhe jam kundër kësaj.
Për sa i përket pjesës tjetër, asaj me fitoret e vogla, shiko, Partia Socialiste ka një gjë që duhet ta themi. Pra, është një sistem. Ashtu siç është edhe Partia Demokratike një sistem. Kur flasim për sistemin politik në Shqipëri, flasim për një sistem që kontrollohet nga PS-ja dhe nga PD-ja. Pra, janë parti që kontrollojnë sistemin dhe, madje, janë vetë sistemi. Ndaj është shumë e vështirë ta mundësh Partinë Socialiste ose Partinë Demokratike thjesht me protesta. Gjithçka duhet të kalojë te pjesa politike. Dhe, thënë këtë, është shumë e vështirë; nuk është e pamundur.
Prandaj zoti Rama e ka parë, mendoj unë, me aq informacion sa kam, se edhe në sondazhet e brendshme ka pasur një rënie. Nuk di ta them sa është rënia, sepse nuk e kam atë informacion, por, nga informacionet që kam unë, ka pasur një rënie në sondazhe, sidomos në tre javët e para të protestës. Kjo e ka bërë që, nga mbrojtja, të kalojë në sulm.
Por, pavarësisht kësaj, unë mendoj që kjo protestë, të paktën, shënoi fundin e diçkaje. Tani, a është fundi i zotit Rama në krye të vendit, a është fundi i klasës së vjetër politike, këtë nuk di ta them. Por është fillimi i fundit. Sepse në atë shesh unë kam parë njerëz të PS-së, kam parë njerëz të PD-së, të cilët pakënaqësinë e tyre e kanë kanalizuar në një protestë të hapur, duke i vënë fytyrën e tyre, duke i vënë imazhin e tyre kësaj proteste.
Më besoni, nuk është e lehtë që, në një supermazhorancë siç është kjo, ti të dalësh dhe të vësh fytyrën tënde në mbështetje të protestës. Por këta e kanë bërë, gjë që tregon se janë njerëz që nuk kanë frikë, janë njerëz që janë të pashantazhueshëm dhe janë njerëz që nesër do t'i kesh me një votë kundër.
Prandaj unë mendoj që shumë nga të rinjtë atje, duke parë gjithë situatën që po kalon vendi, e kanë kuptuar se ka ardhur koha për një lëvizje që të jetë përtej palëve. Macron, për gjashtë muaj, e bëri "En Marche", një lëvizje e cila ishte përtej të majtës, përtej të djathtës. Partitë e tjera të reja, si Podemos në Spanjë, Syriza e të tjera, kanë qenë parti që filluan si lëvizje qytetare dhe më pas u shndërruan në parti politike dhe morën pushtetin. Tani nuk di të them që kjo është situata në Shqipëri.
Ma ke bërë këtë pyetje edhe herën e kaluar, kur kam qenë te ty, dhe unë ta kam thënë se goditja që iu bë Gruevskit, kush e mban mend, erdhi sepse pati një drejtim të timonit nga Perëndimi dhe ai e ktheu timonin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut në drejtim të Lindjes. Ish-shefi i shërbimeve sekrete ishte daja i tij dhe u lidh totalisht me Rusinë. Madje ka pasur akuza edhe nga Greqia se tentuan disa herë sabotazhe në bashkëpunim me Rusinë. Pra, flasim për një formacion totalisht tjetër.
Ndërsa Shqipëria, fatmirësisht, në politikën e jashtme, të cilën unë e lidh edhe me kapitullin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, nuk e ka bërë këtë gabim. Fatmirësisht. Pra, mund ta kritikosh për shumë gjëra...
Nuk e di. Edhe unë jam dakord me atë që tha zoti Tepelena për dosjen e "Babalokut", që duhet të dalë. Por edhe këtë presion të madh nuk mund t'ua bëjmë deputetëve të opozitës, sepse, në fund të ditës, rrezikojnë arrestimin.
Është e vështirë, pra, t'ua kërkojmë këtë gjë. Mund të jemi kritikë me opozitën, por këtë gjë nuk mund t'ua kërkojmë.
Megjithatë, fjalëve ka një gjë. Rama është i plagosur, por nuk ka përfunduar politikisht. Për ta mbyllur, është një plagosje e lehtë.
Pushteti ka shumë mekanizma me të cilët rregullohet, ka shumë mekanizma me të cilët forcohet dhe rikthehet më i fortë. Prandaj them se, nëse kjo lëvizje nuk do të konkludojë në diçka politike, atëherë do t'i lërë fuqi dhe do t'i lërë kohë të rilindë.