Kina nuk arrin objektivin e rritjes për herë të parë që nga Covid, tensionet në Iran trondisin ekonominë globale

Ekonomia e Kinës u rrit me 4.3% në tremujorin e dytë të vitit, duke mbetur nën pritshmëritë prej 4.5% dhe duke mos arritur objektivin e rritjes për herë të parë që nga pandemia e Covid-19.

Të dhënat e publikuara nga Byroja Kombëtare e Statistikave tregojnë se ekonomia kineze po përballet me sfida të forta, si për shkak të konsumit të dobët të brendshëm, ashtu edhe nga pasiguritë që kanë sjellë tensionet në Lindjen e Mesme.

Ekspertët vlerësojnë se eksportet vazhdojnë të mbështesin ekonominë, por kërkesa e ulët e konsumatorëve vendas, rënia e investimeve në pasuri të paluajtshme dhe dobësimi i sektorit të ndërtimit po frenojnë rritjen.

Ndërkohë, konflikti mes SHBA-së dhe Iranit ka shtuar paqëndrueshmërinë në tregjet globale. Rritja e çmimeve të energjisë dhe vështirësitë në furnizim, pas tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, po ndikojnë edhe mbi ekonominë kineze.

Sipas analistëve, Kina mbetet e mbështetur te eksportet e teknologjisë së lartë, si gjysmëpërçuesit, pajisjet kompjuterike, bateritë dhe automjetet elektrike. Megjithatë, varësia nga tregjet e jashtme e bën ekonominë më të ndjeshme ndaj zhvillimeve globale.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se një përshkallëzim i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të zgjasë paqëndrueshmërinë në tregjet e energjisë, të dëmtojë zinxhirët e furnizimit dhe të ushtrojë presion mbi ekonominë botërore.

Pavarësisht ngadalësimit, autoritetet kineze synojnë të nxisin konsumin dhe të mbështesin ekonominë përmes masave të reja, ndërsa analistët presin ndërhyrje të targetuara për të stabilizuar rritjen në muajt e ardhshëm.