Lindja e Mesme nuk gjen qetësi! Trump kërcënon me bombardime të vazhdueshme, Irani godet objektivat amerikane

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në ditën e katërt të përshkallëzimit ushtarak, me sulme të reja amerikane ndaj objektivave iraniane dhe vendosjen në fuqi të një bllokade detare në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se bllokada detare hyri në fuqi në orën 23:00 (me orën e Greqisë), e mbështetur nga mbi 20 anije luftarake dhe qindra avionë ushtarakë të dislokuar në Lindjen e Mesme. Sipas Pentagonit, objektivi është të pengohet aftësia e Iranit për të sulmuar ose ngacmuar anijet tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Një orë para vendosjes së bllokadës, forcat amerikane ndërmorën një valë të re bombardimesh ndaj objektivave në Bandar Abbas, Ahvaz dhe ishullin Qeshm. Ushtria amerikane deklaroi se gjatë një operacioni shtatëorësh goditi dhjetëra objektiva ushtarake, përfshirë sisteme raketore, mjete ajrore pa pilot, kapacitete detare dhe sisteme të mbrojtjes bregdetare, me synimin për të dobësuar më tej aftësitë sulmuese të Iranit.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane pretenduan se një nga objektivat e goditura ishte një fabrikë uji në shishe, ndërsa nuk dhanë informacion për dëmet në objektet ushtarake.

Paralelisht me operacionet ushtarake, Departamenti amerikan i Thesarit shpalli një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, duke vendosur masa ndëshkuese ndaj individëve, kompanive dhe anijeve të lidhura me Teheranin, si dhe duke ngrirë portofole kriptomonedhash me vlerë rreth 130 milionë dollarë.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se fushata ushtarake do të vazhdojë. Në një intervistë për Fox News, ai deklaroi se nëse Irani nuk pranon të ulet në tryezën e negociatave, javën e ardhshme objektiva të sulmeve amerikane do të jenë termocentralet dhe urat.

“Do të vazhdojmë derisa të vendosim se mjafton. Nëse nuk negociojnë, do të godasim termocentralet dhe urat”, u shpreh Trump.

Në kundërpërgjigje, Irani njoftoi se ka kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj një baze ajrore amerikane në Jordani, ku ndodhen avionë luftarakë F-18, si dhe ndaj një baze amerikane në Kuvajt. Teherani pretendoi gjithashtu se ka goditur objektiva në Bahrein dhe Kuvajt, megjithëse këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se shpërthimet e dëgjuara në Bandar Abbas dhe zonat bregdetare ishin rezultat i përplasjeve mes forcave amerikane dhe njësive detare të Gardës Revolucionare në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në përfundimin e operacioneve ushtarake amerikane.

“Operacionet hakmarrëse do të vazhdojnë dhe Hormuzi do të mbetet i mbyllur derisa SHBA të ndalojë veprimet agresive. Nëse eksportet e naftës dhe gazit nuk janë të mundshme për Iranin, atëherë nuk do të jenë të mundshme për askënd”, thuhet në deklaratën e transmetuar nga televizioni shtetëror IRIB.

Përshkallëzimi i konfliktit ka shtuar shqetësimet për sigurinë në rajon dhe për ndikimin që tensionet në Ngushticën e Hormuzit mund të kenë mbi furnizimin global me naftë dhe gaz.