VIDEO/ Spanja eliminon Francën e yjeve dhe bëhet finalistja e parë e Botërorit
Spanja ka siguruar një biletë për në finalen e Kampionatit Botëror, pasi mposhti Francën me rezultatin 2-0 në gjysmëfinalen e zhvilluar mbrëmjen e sotme.
Skuadra e Luis de la Fuente zhbllokoi sfidën në minutën e 22-të, kur Mikel Oyarzabal u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke mposhtur Mike Maignan dhe duke i dhënë epërsinë "La Roja"-s.
Në pjesën e dytë, spanjollët goditën sërish. Në minutën e 58-të, Dani Olmo shërbeu një asist fantastik për Pedro Porro, i cili realizoi me një goditje të saktë për 2-0, duke i dhënë qetësi ekipit të tij.
Franca provoi të rikthehej në lojë me Mbappe, Dembele dhe Doué, por portieri Unai Simon ishte në një mbrëmje të shkëlqyer, duke ndalur çdo tentativë të "Gjelave".
Edhe në minutat shtesë, gardiani spanjoll realizoi disa pritje vendimtare për të ruajtur portën të paprekur.
Me këtë fitore, Spanja siguron një vend në finalen e Botërorit, ndërsa Franca i jep lamtumirën turneut pas një paraqitjeje nën pritshmëri në sfidën më të rëndësishme të kompeticionit.