SHBA godet sërish objektiva në Iran, Teherani paralajmëron... për naftën
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme të reja ajrore ndaj objektivave në Iran, bëri të ditur një zyrtar amerikan për Reuters. Lajmi u raportua edhe nga mediat iraniane, të cilat njoftuan për shpërthime në ishullin Qeshm.
Zhvillimet vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas përshkallëzimit të përplasjeve ushtarake në rajon. Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga ideja për vendosjen e një tarife 20% ndaj transportit detar që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë.
Sipas argumentimit të Trump, masa synonte të kompensonte rolin e SHBA-së në garantimin e lirisë së lundrimit dhe sigurisë së tregtisë ndërkombëtare në Gjirin Persik. Megjithatë, mënyra se si do të zbatohej kjo tarifë nuk ishte bërë e qartë.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane prekën qytetin e Bushehrit, ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor funksional i Iranit.
Gjatë natës së kaluar, të dyja palët shkëmbyen sulme. Irani deklaroi se kishte goditur një bazë ushtarake amerikane në Bahrein, ndërsa raketa u raportuan edhe drejt Jordanisë, ku ndodhen forca amerikane. Përballë zhvillimeve të fundit, Teherani ka paralajmëruar për ndikime të mundshme në tregun global të naftës.