Arrestohet për falsifikim dokumentesh ish-mbrojtësi kroat i Milanit dhe i Interit
Ish-futbollisti i njohur kroat, Dario Simiç, është arrestuar në kuadër të një operacioni kundër korrupsionit të zhvilluar nga autoritetet kroate.
Sipas raportimeve të mediave vendase, ish-mbrojtësi i Interit dhe Milanit dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme leje për të ushtruar aktivitet biznesi me një kamping në zonën turistike të Tisnos, në bregdetin qendror të Kroacisë.
Operacioni është kryer nga Zyra për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (USKOK), në bashkëpunim me policinë kroate. Bashkë me Simiç është arrestuar edhe Neda Livljaniç, ish-drejtuese e Departamentit të Turizmit në qarkun Shibenik-Knin.
Hetuesit dyshojnë se Livljaniç ka ndihmuar ish-futbollistin për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm për aktivitetin, përmes procedurave të parregullta.
Sipas hetimeve, lejet për disa kampe turistike janë dhënë mbi bazën e raporteve të inspektimeve që dyshohet se nuk janë kryer kurrë.
Autoritetet pretendojnë se në disa raste janë falsifikuar edhe dokumente zyrtare.
Dario Simiç, 49 vjeç, ka pasur një karrierë të gjatë në futboll, duke luajtur për klube të mëdha si Dinamo Zagreb, Inter, Milan dhe kombëtaren e Kroacisë, me të cilën mori pjesë në turne të rëndësishme ndërkombëtare.
Autoritetet kroate ende nuk kanë publikuar një deklaratë zyrtare për rastin, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e dyshimeve për korrupsion.