‘Serbia nuk e ka braktisur ideologjinë e spastrimit etnik’/ Zhulali: Heshtja e Ramës, e papranueshme
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj deklaratës së një ministreje serbe për shqiptarët, duke e cilësuar atë si dëshmi se, sipas saj, Serbia zyrtare nuk e ka braktisur kurrë ideologjinë e spastrimit etnik.
Në reagimin e saj, Zhulali kritikon edhe mungesën e një qëndrimi të fortë nga qeveria shqiptare, ndërsa i bën thirrje Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që të ndërmarrë hapa konkretë diplomatikë ndaj Beogradit, përfshirë thirrjen e ambasadorit serb për demarsh politik, kërkesën për shkarkimin e ministres dhe koordinimin me Kosovën në forumet ndërkombëtare.
Postimi i plotë:
Deklarata e ministres serbe për “spastrim etnik” të shqiptarëve është dëshmi e një ideologjie që Serbia zyrtare mesa duket s’e ka braktisur kurrë në të vërtetë. E kemi dëgjuar edhe te vetë Vuçiç, kur pak vite më parë, foli për “idetë e mira të Millosheviçit, që nuk ishin zbatuar siç duhej”.
Spastrimin etnik “modern” e kemi parë dhe në Luginën e Preshevës, me pasivizimin masiv të adresave të shqiptarëve, që qeveria Rama e ka kaluar në heshtje.
Kosova, prej vitit 2008, është realitet që s’kthehet pas, sido që të fantazojë Beogradi zyrtar. Serbia mund të vazhdojë retorikën e saj shoviniste, por ta harrojë se ndryshon hartë, kufi, a të vërtetat historike.
Heshtja e kryeministrit shqiptar, që në vend të një dënimi të prerë, vazhdon flirtin me një regjim që flet hapur gjuhën e gjenocidit, është e papranueshme. Nuk mund të ëndërrosh “Ballkan të Hapur” me njërën dorë, ndërsa me tjetrën të shtrëngosh dorën e atyre që ëndërrojnë shfarosjen e shqiptarëve.
Ministria e Jashtme, të mos mjaftohet me një deklaratë të shplarë e të vonuar, por:
1. Të thërrasë urgjent ambasadorin serb për demarsh politik dhe dënojë me ashpërsinë më të madhe këto qendrime përsëritese shoviniste.
2. Të kërkojë shkarkimin e menjëhershëm të ministres në fjalë, që mesa duket ka ende në zemër kasapin e ballkanit që shkaktoi gjakderdhje e viktima për shkak të politikave të tij gjenocidale.
3. Të dorëzojë Demarsh politik, në koordinim me Kosovën, në BE dhe NATO.
4. Kuvendi i Shqipërisë, ka edhe një herë mundësinë të miratojë pa humbur kohë Rezolutën e kërkuar kaq herë nga Partia Demokratike, për dënimin e genocidit serb në Kosovë.