Zbulohet premio e Anglisë për Tuchel nëse fiton Kupën e Botës

Thomas Tuchel mund të shkruajë historinë me Anglinë dhe, përveç lavdisë sportive, trajneri gjerman pritet të shpërblehet edhe me një bonus të jashtëzakonshëm financiar.

"Tre Luanët" janë rikthyer në gjysmëfinalet e Kupës së Botës dhe tashmë ëndërrojnë trofeun e parë që prej vitit 1966.

Një sukses që do të kishte meritën e shumë lojtarëve, por edhe të teknikut Tuchel, i cili ka ndërtuar një skuadër konkurruese, pavarësisht kritikave për zgjedhjet e tij.

Trajneri gjerman la jashtë disa emra të njohur si Foden,  Palmer dhe Harry Maguire, vendime që shkaktuan polemika në Angli.

Megjithatë, rezultatet i kanë dhënë të drejtë, pasi skuadra ka avancuar deri në fazën finale të turneut.

Sipas raportimeve, nëse Anglia arrin të fitojë Kupën e Botës, Tuchel do të përfitojë një premio prej 3 milionë paundësh.

Kjo shumë konsiderohet një nga bonuset më të mëdha të parashikuara për një trajner të kombëtares angleze, por për Tuchelin shpërblimi më i madh do të ishte hyrja në histori.

Një triumf në Botëror do t'i jepte fund pritjes 60-vjeçare të Anglisë për trofeun më prestigjioz të futbollit dhe do ta vendoste trajnerin gjerman mes figurave më të rëndësishme të historisë së "Tre Luanëve".