Spahia: Skandal dhe turp që nuk mund të kalohet në heshtje!

Deputeti i PD-së Bardh Spahia ka dënuar me forcë deklarata e ministres së qeverisë së Aleksandër Vuçiç e cila ka deklaruar në një intervistë televizive se, nëse do ishte në vendin e Millosheviçit do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Sipas Spahisë, ku është një skandal dhe heshtja ndaj këtyre deklaratave është turp dhe faqe e hedhë për këdo që nuk reagon.  

Reagimi i deputetit Bardh Spahia:

Të dalësh sot në ekran me arrogancë dhe të thuash hapur: ‘Nëse do isha unë në vend të Millosheviç në 1998 do e kisha spastruar etnikisht Kosovën’, nuk është thjeshtë një deklaratë çnjerëzore dhe skandaloze që mund të kalojë në heshtje.

​E dini çfarë është më e rënda dhe më e dhimbshmja për çdo shqiptar? Kjo deklaratë nuk vjen nga rruga, por nga një ministre me portofol në qeverinë e Aleksandër Vuçiç! Po, fiks në qeverinë e atij Vuçiçit që Edi Rama prej vitesh e quan ‘vëlla’, me të cilin ndan buzëqeshje, shtrëngon duart, bën avokatin e tij nëpër Evropë dhe ndërton nisma qesharake ‘vëllazërore’ në dëm të Kosovës.

​Si mund të jesh vëlla dhe mik me atë që mban në krah të djathtë ministra që pendohen vetëm për një gjë: që nuk na vranë e nuk na zhdukën dot të gjithëve nga faqja e dheut në vitin 1998?! Ku është reagimi i Tiranës zyrtare sot për këtë thirrje të hapur e të paturpshme për gjenocid?! Apo do të ulin kokën e do të bëjnë sikur nuk dëgjuan gjë, vetëm e vetëm për të mos prishur terezinë dhe pazaret e ‘vëllaut’ në Beograd?

​Gjaku i mijëra dëshmorëve, grave dhe fëmijëve të pafajshëm në Kosovë është i shenjtë! Nuk ka asnjë mik në Tiranë që mund të lajë fytyrën e atij shteti që ushqehet ende me ëndrra gjenocidiale kundër shqiptarëve.

Turp e faqe e zezë për këdo që i mban ison dhe i bën avokatin këtij regjimi!