Padia në SPAK/ Logu: Rama krijoi skemë për favorizimin e lejeve, dyshime për korrupsion dhe pastrim parash
Juristi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Marash Logu, deklaroi në emisionin Task Force në Syri TV, me moderatoren Sonila Meço, se padia e depozituar në SPAK ndaj kryeministrit Edi Rama bazohet në atë që ai e cilësoi si një skemë të mirëorganizuar për dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.
Sipas Logut, në kallëzim pretendohet se Rama, së bashku me drejtoreshën e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, dhe persona të tjerë, kanë ngritur një mekanizëm që favorizonte lidhjen e investitorëve me studio të huaja arkitekturore kundrejt tarifave të larta, duke ngritur dyshime për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Intervista:
Meço: Sot më në fund është konkretizuar padia nga ana e Partisë Demokratike në SPAK ndaj kryeministrit Edi Rama. Konkretisht, çfarë përmban kjo padi?
Logu: Nga studimi ose nga analizimi që ne i kemi bërë të dhënave të bëra të njohura nga libri "Albanian Mafia", është e qartë në fakt që shtetasit Edi Rama dhe Adelajda Roka, përkatësisht kryeministri dhe kryetarja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por edhe me bashkëpunëtorët e tyre, biznesmenë dhe arkitektë të ndryshëm, kishin krijuar një skemë, një skemë të mirëfilltë kriminale, e cila në fakt kishte për qëllim që fillimisht të identifikonte arkitektë apo studio arkitekturore ndërkombëtare, të cilat më pas i takonin, i kontaktonin dhe i lidhnin me biznesmenë shqiptarë për të përgatitur projektet e ndërtimit në terrene të caktuara, për kundrejt tarifave shumë të larta. Kjo mënyrë operimi, sipas vlerësimit tonë, ishte kusht për t'u pajisur me leje zhvillimi dhe leje ndërtimi. Sigurisht, Edi Rama dhe Adelajda Roka kishin rolin vendimtar për shkak të detyrës së tyre si kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe drejtoreshë e Përgjithshme e AZHT-së. Duke vepruar në këtë formë, është e qartë se ata kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, sepse nuk është detyra as e kryeministrit dhe as e drejtoreshës së AZHT-së që të identifikojnë, të kontaktojnë, të krijojnë lidhje mes arkitektëve, qofshin këto edhe studio arkitekturore ndërkombëtare, me biznesmenë, ndërtues apo investitorë shqiptarë, me qëllim që më pas këta të aplikonin me projekte për t'u pajisur me leje zhvillimi apo leje ndërtimi. Sipas ligjit, fillimisht AZHT-ja, drejtoresha e Përgjithshme e AZHT-së, Adelajda Roka, ka për detyrë që të marrë në shqyrtim kërkesat që i paraqiten për t'u pajisur, kërkesat që paraqiten për t'u pajisur me leje zhvillimi apo leje ndërtimi dhe pasi verifikohet dokumentacioni tek i plotë ligjor, ia kalon Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili drejtohet nga kryeministri Edi Rama, për vendimmarrje, pra, për miratimin ose jo të tyre. Në fakt, ky nuk ishte rasti. Pra, ky libër ekspozon në mënyrë të qartë se skema apo struktura që ka ndërtuar legjislacioni për planifikimin dhe zhvillimin e territorit ishte kthyer përmbys. Në vend, po themi, që të ishin ndërtuesit ata që kontaktonin arkitektët që më pas paraqisnin projektet në AZHT, në fakt ishin kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e AZHT-së Adelajda Roka të cilët gjenin arkitektët, i ftonin ata, i porosisnin ata aty që të kryenin projekte dhe më pas gjenin ndërtuesit. Ndërtues të cilët në fakt, për hir të së vërtetës, dhe libri e ekspozon këtë element, kanë paguar tarifa shumë të larta.
Pra, disa fish më të larta sesa është çmimi i tregut apo sesa është vlera apo tarifa reale nga ana e, po themi, arkitektëve që janë lokalë, apo arkitektëve që gjenden në Shqipëri. Dhe duke vepruar kështu, pra qoftë duke vepruar në shkelje të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër duke përfituar përfitim monetar në tarifa shumë të larta në formën e pagesave për arkitektët dhe për studiot ndërkombëtare, është e qartë, referuar edhe dispozitave përkatëse në Kodin Penal, që këta dy shtetas, bashkë me bashkëpunëtorët e tyre, por edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë, kanë konsumuar minimalisht elementët e veprave penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. Nga ana tjetër, studimi i këtij rasti
Dhe në fakt edhe hetimi që ka kryer Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ka ekspozuar që këta biznesmenë, ndërtues, e tjerë e tjerë, ishin shumë të interesuar për të përfituar leje ndërtimi, duke paguar edhe tarifa shumë të larta sepse kishin si qëllim final, po themi, që të pastronin para që vinin nga burime të paligjshme. Dhe kjo është, po themi, pjesa e dy prej dosjeve që është ekspozuar, e dy prej dosjeve që tashmë, po themi, janë në prokurori, të Prokurorisë së Posaçme. Pra, nga njëra anë, po themi, është shkelja e ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, nga ana tjetër gjeneroheshin tarifa shumë të larta që sigurisht përbëjnë një ryshfet në fakt, një tarifë ryshfeti dhe korrupsioni, dhe nga ana tjetër ndihmoheshin edhe këta biznesmenë, po themi, të veshur me petkun e ndërtuesit, të cilët janë themeluar tashmë edhe kompani ndërtimi, për të pastruar para që kryesisht vinin nga veprimtari të paligjshme në formën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Kjo është arsyeja që ne në përmbajtjen e kallëzimit tonë i kemi kallëzuar Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij, por sigurisht edhe ata subjekte private, pra biznesmenë të cilët janë arritur të identifikohen nga libri, për qoftë për shpërdorim detyre, qoftë korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, qoftë për pastrim të produkteve të veprës penale në formën e grupit të strukturuar kriminal, sepse mënyra si kanë vepruar Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij është e qartë në fakt se ka të gjitha elementet apo të gjitha karakteristikat që ka një grup i strukturuar kriminal.