Sekuestrohen pasuri me vlerë 420 mijë euro të përfituara nga trafikimi i narkotikëve/ Ja kush është pronari

Dy apartamente dhe një garazh me vlerë të përafërt prej 420 mijë eurosh janë sekuestruar në kuadër të një hetimi pasuror ndaj një 54-vjeçari, i dyshuar se i ka përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas Policisë së Tiranës, pasuritë i përkasin shtetasit Harben, alias Arben Alla, 54 vjeç. Sekuestrimi është kryer me vendim gjykate, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal i tij ose i personave të lidhur me të.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “De facto”, si rezultat i hetimeve për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale.

Sekuestrohen apartamente dhe garazh, me vlerë rreth 420 000 euro, të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Në vijim të një hetimi pasuror, me metoda speciale, kryer në bazë ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, në kuadër të operacionit të koduar “De facto”, u ekzekutua vendimi i Gjykatës për sekuestrimin e dy apartamenteve dhe një garazhi.

Pasuritë, me vlerë tregu rreth 420 000 euro, dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e shtetasit H(A). A., 54 vjeç, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Hetimi vijon për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera me burime kriminale, të 54-vjeçarit ose shtetasve të lidhur me të.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.