Zabaleta para Angli-Argjentinë: Dy kombëtaret kanë të njëjtin pasion për futbollin

Ish-mbrojtësi i Argjentinës, Pablo Zabaleta, beson se Anglia dhe Argjentina i bashkon i njëjti pasion i jashtëzakonshëm për futbollin, teksa dy kombëtaret përgatiten të përballen në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.

Zabaleta, i cili është pjesë e Grupit të Studimit Teknik të FIFA-s, analizoi sfidën e madhe dhe vlerësoi kulturën futbollistike të të dy vendeve, duke theksuar se atmosfera që krijojnë tifozët është e veçantë.

"Futbolli është diçka shumë e veçantë në Angli. Stadiumet janë gjithmonë plot dhe tifozët ndjekin ekipin e tyre kudo. Pikërisht e njëjta gjë ndodh edhe në Argjentinë. Ne jetojmë dhe marrim frymë për futbollin. Gjatë Kupës së Botës, i gjithë vendi vishet bardhekaltër. Të dy vendet ndajnë të njëjtin pasion për këtë sport", u shpreh ai.

Ish-lojtari i Manchester Cityt dhe West Hamit analizoi edhe aspektin taktik të Argjentinës, duke theksuar se skuadra e Lionel Scalonit preferon të ndërtojë aksionet nga qendra e fushës, pasi nuk ka sulmues klasikë krahu.

Sipas tij, rreziku më i madh vjen kur skuadra rikuperon topin dhe gjen Lionel Messin në hapësirë ose kur Julian Alvarez sulmon prapavijën kundërshtare.

Duke folur për gjysmëfinalen, Zabaleta e cilësoi atë si një duel mes dy prej kombëtareve më të mëdha në historinë e Kupës së Botës.

"Do të jetë një ndeshje tepër intensive. Të dy ekipet kanë histori, rivalitet dhe futbollistë të jashtëzakonshëm. Këto janë sfida që vendosen nga detajet", përfundoi ish-mbrojtësi argjentinas.