Pretenca për Kryemadhin, Çokun e Xhixhon/ Meta: Nuk u thirra në procesin e tyre. Kurrë nuk kam patur asnjë bashkëpunim me ta

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka komentuar pretencën e SPAK ndaj Monika Kryemadhit, Fatjon Çokut dhe Erisa Xhixhos, të cilët kërkuan gjykim të shkurtuar, duke deklaruar se nuk është thirrur në procesin e tyre dhe se nuk ka pasur asnjë bashkëpunim të paligjshëm me ta.

Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për Syri.net, Meta u shpreh se nuk i takon të komentojë çështjet gjyqësore të personave të tjerë, por theksoi se ka kërkuar që të tre të thirren si dëshmitarë në procesin ndaj tij.

Ai deklaroi se nuk ka pasur kurrë dijeni për ndonjë veprim të parregullt nga ana e tyre dhe akuzoi SPAK-un për ndërtimin e një “farse kriminale” ndaj tij, duke u shprehur se organi i akuzës ka fshehur dhe manipuluar prova, përfshirë edhe letërporositë me SHBA.

Meta kritikoi gjithashtu ekspertizën financiare të përdorur në hetim, duke treguar se të ardhurat e tij të ligjshme nga pagat në shtet nuk janë përfshirë në analizë. Ai akuzoi institucionet e drejtësisë për mungesë transparence në procesin gjyqësor dhe kërkoi zhvillimin e një gjykimi sipas standardeve kushtetuese dhe të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në përfundim, kreu i Partisë së Lirisë përsëriti akuzat ndaj institucioneve të drejtësisë, duke u shprehur se arrestimi i tij ishte i paligjshëm dhe se kallëzimi penal i depozituar prej tij ende nuk është shqyrtuar.

Intervista: 

Dje SPAK-u dha pretencën për tre personat që kishin kërkuar gjykim të shkurtuar dhe që akuzoheshin për bashkëpunim me ju dhe ish-bashkëshorten tuaj. Çfarë komenti keni?

Nuk më takon mua të shprehem për ballafaqimet e personave të tjerë me drejtësinë, për më tepër që ata janë të lirë dhe kanë avokatët e tyre.
Ndërkohë askush nuk më ka thirrur në procesin e tyre, ndërsa unë kam kërkuar thirrjen e të treve në procesin tim.

Por dua t’ju rikonfirmoj se asnjë prej tyre kurrë nuk ka patur asnjë lloj bashkëpunimi me mua në shkelje të ligjit dhe as nuk kam patur ndonjëherë ndonjë dijeni për ndonjë veprim të tyre të parregullt.

Çdo përpjekje e dëshpëruar e regjimit për të krijuar perceptime të rrejshme për mua e ka marrë dhe do ta marrë përgjigjen e merituar deri në çmontimin përfundimtar të farsës kriminale ndaj meje.

Asnjë kundërvajtje administrative të asnjë lloji nuk ka provuar dot akuza ndaj meje dhe nuk mund të provojë dot.
Ndaj e kanë bunkerizuar procesin gjyqësor në mënyrën më skandaloze.

Ne i kemi parashtruar kërkesat tona ndaj gjykatës për të shkuar te provat që organi i akuzës ka tentuar të fshehë dhe manipulojë për vite me radhë, siç bëri edhe me letërporositë me SHBA.

Pastaj ekspertiza financiare e patronazhistes së punësuar në SPAK është qershia mbi tortë e revolucionit kulturor në drejtësi.

Pra mua nuk më llogariten si të ardhura të ligjshme për 12 vite të gjitha pagat dhe të ardhurat e ligjshme të përfituara nga shteti shqiptar, se kështu u do qejfi prokurorëve.

Po këtyre, kur kaluan vetingun, paga iu llogaritën nga gushti 2016 apo nga dita e parë e punës në shtet?

Kohën e kemi përpara pikërisht që të vërtetohet me saktësi çdo gjë që unë kam thënë me kohë përpara rrëmbimit tim kriminal më 21 tetor 2024, njësoj si Aldo Moro nga Brigadat e Kuqe.

Edhe Navalnit dhe Kodorkovskit iu lejua të flisnin për mediat e huaja.

Por e vërteta nuk burgoset dot dhe triumfon në fund.

Rruga e drejtë është më e gjatë, por të çon më larg dhe atje ku duhet.

Ne vazhdojmë të palëkundur në konsistencën tonë për të garantuar një proces të rregullt ligjor, sipas standardeve kushtetuese dhe të Gjykatës Europiane për të Drejtat e

Njeriut, ndërsa ata nuk arrijnë dot të garantojnë për sa i takon transparencës së gjykimit, as standardet e regjimit komunist në mes të viteve ’50 kundër Hamit Matjanit dhe grupit të tij, ku populli kishte mundësi ta dëgjonte në kohë reale të gjithë procesin në Radio Tirana.

Ndërsa sot që kemi edhe Diellën ministre, edhe pse Kushtetuta dhe KEDNJ e garanton transparencën, e kanë të pamundur të vendosin një link për mediat, që ata që kanë dëshirë ta ndjekin të gjithë procesin në kohë reale.

Këta mund të krahasohen vetëm me gardistët e kuq, që pasi kryenin ekzekutimet, “qepnin” edhe letrat, siç e provoi fakti i rrëmbim-arrestimit tim, sipas vetë vendimit të gjykatës, që provoi se kur rrëmbimi ndodhi në orën12:18, ndërsa 1 orë e 58 minuta më pas, në ora 14:16, u njoha me masën e arrestit.

Askush nuk më ka pyetur mua as sot e kesaj dite pavarësisht kallëzimin penal që kam bërë, pikërisht për të demonstruar me kokëfortësi se çdo shtet ka mafian e vet, por në Shqipëri mafia e ka krejt shtetin të vetin.