A e rrisin gjalpi dhe djathi rrezikun e sëmundjeve të zemrës?

Llojet e veçanta të gjalpit, djathit dhe qumështit me përmbajtje më të ulët yndyre janë reklamuar prej kohësh si një alternativë më e mirë për ata që duan të zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe diabetit, raporton agjencia gjermane dpa.

Megjithatë, yndyrnat që gjenden natyrshëm në produktet e qumështit, ndryshe nga yndyrnat trans industriale në ushqimet shumë të përpunuara, nuk rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës, përfunduan shkencëtarët britanikë në një analizë të botuar në revistën Nutrition Research .

Një ekip shkencëtarësh analizoi 22 studime që përfshinin të dhëna mjekësore nga mijëra banorë evropianë dhe të Amerikës së Veriut dhe zbuloi se yndyrnat trans natyrale në trup "sillen shumë ndryshe nga ato industriale".

"Yndyrnat trans në qumështin, kosin, gjalpin ose djathin e mëngjesit nuk janë të njëjta me yndyrnat industriale, pjesërisht të hidrogjenizuara", tha Ian Givens nga Universiteti i Reading.

Givens shpreson që rezultatet e hulumtimit do t'i sigurojnë njerëzit se produktet e qumështit mund të konsumohen në mënyrë të sigurt si pjesë e një diete të ekuilibruar.

Ekspertët e shëndetit bien dakord që trupi ka nevojë për konsum të yndyrnave, duke përfshirë yndyrnat e ngopura nga produktet e qumështit dhe mishit, si pjesë e një diete të ekuilibruar.

Hulumtimi, i porositur nga organizata jofitimprurëse amerikane Këshilli Kombëtar i Qumështit, është në përputhje me studimet e mëparshme që kanë treguar përfitimet shëndetësore të llojeve të tjera të yndyrës, siç janë yndyrnat e pangopura nga avokadot, arrat dhe peshqit.

"Të paktën disa lloje të produkteve të qumështit me yndyrë të plotë mund të mos jenë aq shqetësuese sa mendohej dikur", thotë Shkolla Mjekësore e Harvardit, duke vënë në dukje se produktet e qumështit të fermentuara si kosi dhe djathi mund të ofrojnë gjithashtu "mbrojtje të pjesshme kundër sëmundjeve kardiovaskulare".

Vitin e kaluar, Revista Amerikane e të Ushqyerit Klinik publikoi se nuk u gjet asnjë lidhje bindëse midis konsumit të produkteve të qumështit, pavarësisht nga përmbajtja e yndyrës, dhe rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare .