Skandaloze/ Këlliçi: Në ditën që ministrja serbe tha se do të bënte spastrim etnik në Kosovë, Rama lavdëroi Ballkanin e Hapur

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në një intervistë për Euronews Serbia, duke i cilësuar ato "skandaloze" dhe të papranueshme.

Këlliçi shprehet se, ndërsa një ministre e qeverisë së Aleksandar Vuçiçit deklaronte se, po të ishte në vend të Millosheviçit, do ta kishte realizuar pastrimin etnik në Kosovë, Rama jo vetëm që nuk e dënoi këtë deklaratë, por zgjodhi të fliste me vlerësim për Serbinë dhe nismën e Ballkanit të Hapur.

Deputeti e akuzoi kryeministrin se po rreshtohet politikisht në krah të Vuçiçit dhe e cilëson këtë qasje si një qëndrim të përsëritur gjatë 13 viteve të qeverisjes së tij.

Reagimi:

SKANDALOZE!!!

Ditën që një ministre e Vuçiç deklaron në një intervistë se po të ishte ajo në vend të Millosheviç, do ta kishte realizuar pastrimin etnik në Kosovë, Edi Rama u shfaq në Euronews Serbia dhe foli me simpati për presidentin serb!!! 

As nuk dënoi deklaratat e zyrtares së lartë, as nuk shprehu indinjatë. Por tha se ideja e Ballkanit të Hapur ishte fantastike. 

Edi Rama u asociua me Vuçiç kur tha se kjo ide fantastike u sulmua vetëm sepse ata të dy qëndronin pas saj.

E papranueshme, skandaloze kjo qasje. 

E përsëritur tashmë në 13 vite. Në shesh duhet të rrëzojmë sunduesin e Tiranës dhe binjakun e autokratit të Beogradit. 

Eshte imperativ kombëtar!