Alarm te Barcelona, Frenkie de Jong pëson dëmtim në gju, klubi druhet për mungesë të gjatë

Barcelona është përfshirë nga shqetësimi pas lajmeve për gjendjen fizike të Frenkie de Jong. Mesfushori holandez ka pësuar një dëmtim në gju dhe, sipas raportimeve të mediave spanjolle, ekziston frika se ai mund të mungojë për një periudhë të gjatë.

Lojtarët e Barcelonës u rikthyen në klub të hënën për kontrollet mjekësore përpara nisjes së fazës përgatitore. Mes tyre ishin edhe Ronald Araujo dhe Frenkie de Jong, të cilët përfituan disa ditë pushim shtesë pas angazhimit me kombëtaret e tyre në Kupën e Botës 2026.

Sipas Marca-s, rezultatet e para nuk janë aspak inkurajuese. De Jong ka pësuar një dëmtim në gju dhe në klub mbizotëron një shqetësim i madh për gjendjen e tij. Holandezi do t'u nënshtrohet ekzaminimeve të tjera në ditët në vijim për të përcaktuar shkallën e dëmtimit.

Raportimet flasin se Barcelona "i druhet skenarit më të keq", ndërsa nuk përjashtohet mundësia që mesfushori të qëndrojë jashtë fushave për rreth katër muaj.

Si klubi, ashtu edhe lojtari, presin tashmë diagnozën përfundimtare, e cila do të përcaktojë kohën e rikuperimit dhe trajtimin që do të ndiqet.

Një mungesë e gjatë e De Jong do të ishte një goditje e rëndë për trajnerin Hansi Flick në prag të sezonit 2026/27, sidomos duke pasur parasysh se disa futbollistë të Barcelonës janë ende të angazhuar në Kupën e Botës.

Për mesfushorin holandez kjo do të ishte një tjetër periudhë e vështirë, pasi sezonin e kaluar humbi shumë ndeshje për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës. Tani ai rrezikon të përballet me një tjetër mungesë të gjatë, këtë herë për shkak të problemit në gju.