Koalicioni për mbështetjen e Ukrainës do të zhvillojë manovrat e para ushtarake në Poloni
Manovrat e para ushtarake të “Koalicionit të të Gatshmëve” për mbështetjen e Ukrainës do të zhvillohen në Poloni këtë vjeshtë, njoftoi sot kryeministri polak Donald Tusk, pas një takimi të grupit në Paris.
Sipas agjencisë polake të lajmeve PAP, Tusk tha se në këto manovra do të marrin pjesë trupa nga Franca dhe Britania e Madhe, ndërsa Polonia do të jetë njëkohësisht vendi pritës dhe pjesëmarrëse në operacion.
“Qëllimi i manovrave ushtarake është përgatitja e koalicionit, për të ofruar garanci konkrete sigurie për Ukrainën, por edhe për rajonin”, tha Tusk.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi dje, për herë të parë planet manovrat e përbashkëta, gjatë samitit të fundit të koalicionit, të zhvilluar nën drejtimin e tij.
“Koalicioni i të Gatshmëve” planifikon krijimin e një force shumëkombëshe, të udhëhequr nga vendet evropiane dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila do të ndihmonte në garantimin e sigurisë së Ukrainës, pas përfundimit të luftës së Rusisë kundër saj.
Megjithatë, përpjekjet për të negociuar një armëpushim ose një marrëveshje më të gjerë paqeje, kanë mbetur të bllokuara prej disa muajsh.