SYRI TV/ IDC-CDI mbështet propozimet e PD në asamble, krijohen 2 grupe pune për drogën dhe zgjedhjet

IDC-CDI, organizata e qendrës së djathtë demokratike, ka mbështetur propozimin e PD-së për krijimin e 2 grupeve të posaçme të punës në Shqipëri. Një grup pune kërkohet për demokracinë dhe zgjedhjet, dhe një për kartelet e drogës. Propozimet u përshëndetën nga Presidenti i IDC-CDI, Andres Pastrana Arango. Gjatë fjalës së tij në punimet e Asamblesë së Përgjithshme në Bruksel, Presidenti i CDI tha se hetimi i trafikut të drogës është domosdoshmëri në kushtet kur ai po kthehet në një kërcënim të ri për Evropën.

Organizata e qendrës së djathtë demokratike, IDC-CDI, ka mbështetur propozimet e PD-së për krijimin e 2 grupeve të reja të punës për zgjedhjet dhe demokracinë, si dhe për kartelet e drogës e lidhjet e tyre me qeverinë. Vetë Presidenti i IDC-së, Andreas Pastrana Arango, nga Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, që po mbahet në Bruksel, përshëndeti 2 propozimet e PD-së, duke theksuar se krijimi i grupeve të punës, veçanërisht ai për hetimin e trafikut të drogës, është domosdoshmëri pasi paraqet një kërcënim të ri për Evropën.

“Në OEA (Organizata e Shteteve Amerikane), prej shumë vitesh, siç e dini edhe ju, zoti President, ne kemi ndjekur nga afër problemin e drogës. Dhe këtë po jua thotë dikush që e ka përjetuar vetë këtë situatë në Amerikën Latine, siç është rasti i Kolumbisë. Por ne do të vazhdojmë. Është një ide shumë e mirë krijimi i një grupi pune, sepse ka shumë të ngjarë që ky të jetë kërcënimi i ri për Evropën, e cila vetëm tani ka filluar të kuptojë problemet me të cilat mund të përballet.”

Propozimet për krijimin e 2 grupeve të punës u bënë në Asamble nga lideri i opozitës, Sali Berisha. Grupi i parë i punës kërkohet për Demokracinë, Integritetin Zgjedhor, Pluralizmin Politik dhe Liritë Themelore, ndërsa propozimi i dytë ishte Grupi i Punës për kapjen e shtetit, krimin e organizuar dhe korrupsionin e organizuar.

Sa i takon grupit të zgjedhjeve, PD-ja kërkon që puna e tij të përfshijë rezistencën demokratike dhe mbrojtjen institucionale; integritetin zgjedhor dhe standardet ndërkombëtare zgjedhore; vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vlerësimin elektoral; pluralizmin politik dhe mbrojtjen e të drejtave të opozitës; pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve; mbikëqyrjen parlamentare; lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias; lirinë e tubimit paqësor dhe organizimit; persekutimin politik dhe të burgosurit politikë; mbrojtjen e shoqërisë civile dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

Ndërsa për Grupin e Punës për kartelet e drogës, objekti i punës duhet të fokusohet në kapjen e shtetit dhe rezistencën institucionale; krimin e organizuar dhe korrupsionin e organizuar si kërcënime të ndërlidhura ndaj demokracisë; kartelet e drogës dhe organizatat kriminale transnacionale; depërtimin kriminal në institucionet politike dhe publike; rrjetet politiko-kriminale dhe ndikimin e paligjshëm mbi vendimmarrjen publike; ndërhyrjen e krimit të organizuar në zgjedhje; financimin e paligjshëm të partive politike dhe fushatave zgjedhore; korrupsionin strategjik dhe sistemik; pastrimin e parave dhe rrjedhat financiare të paligjshme; integritetin dhe transparencën në prokurimet publike; mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit, prokurorëve dhe institucioneve të zbatimit të ligjit; kapjen digjitale të shtetit, përfshirë keqpërdorimin e databazave publike, teknologjive të survejimit dhe infrastrukturës digjitale për qëllime politike ose kriminale.