Çunat me muskuj në Zvërnec, Apeli mbyll në burg Artur Granin. ‘Arrest shtëpie’ për Gazmend Vathin
Nga Elton Qyno – Syri.net/
Gjykata e Apelit në Tiranë ka marrë në shqyrtim dosjen penale me të arrestuar 3 bodygardët e policisë private “Major Security”, Geraldo Biba, Artur Grani dhe Gazmend Vathi.
Tre bodygardët e kontraktuar nga një shoqëri private që kishte marë lejë zhvillimi për ndërtimin e një kompleksi turistik në Zvërnec, u arrestuar nga policia e Vlorës për “Heqje të paligjshme të lirisë” kryer në bashkëpunim shoqëruar kjo me dhunë fizike.
Pas shqyrtimit të Apelimit të 3 të arrestuarve, Gjykata e Apelit vendosi të lerë në burg Artur Granin, ndërsa kolegun e tij Gazmend Vathi, e ka lënë në masën e “arrestit në shtëpi”.
Ndërsa tashmë në këto momente është marrë në shqyrtim apelimi i Geraldo Bibës i cili është lënë ne burg, Ai rezulton të jetë dhe pronari në hije i policisë private “Major Security”.
Biba ka kërkoi zbutjen e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në një masë më të butë.
Të tre bodygardët morën peng dhe dhunuan fizikisht një nga protestuesit në fshatin Zvërnec të Vlorës, ku ata po protestonin kundër rrethimit të tokës dhe kundër ndërtimit të objekteve, pasi ata pretendojnë të jenë pronarë të vjetër të tokës.
Ndërkohë Geraldo Biba, duket se është pronari në hije i kompanisë “Major Security”, pavarësisht se në letra del vjehrra e tij, 58-vjeçare nga Durrësi me emrin, Shpresa Myzyri, pa asnjë eksperiencë dhe njohuri për situatën e rendit, menaxhimin e situatave me turma apo zgjidhjen e problematikave sipas standardeve dhe rregulloreve.
Në Durrës shumë e dinë që pronari në hije i kësaj kompanie është pikërisht, Geraldo Biba, i cili lidh kontratat e sigurisë me bizneset dhe emrat e ndryshëm të personazheve të show-bizzit në Shqipëri.
Një amator në këtë fushë, i cili nga garantimi i sigurisë së klubeve të natës në Tiranë dhe Durrës si dhe disa këngëtarëve të njohur në Shqipëri, “Stresi-Noizy”, hyri në një kontratë ekonomikisht të majme për garantimin e sigurisë tek shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”.