Meta: Nga listat e hapura te President nga populli, zgjidhjet që propozoj për të rikthyer parlamentarizmin

Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta për portalin “Syri. net”

PJESA E PARË

Z. Meta si e vlerësoni ecurinë e protestave?

Vendosmëria e mijëra qytetarëve për të vazhduar protestat edhe në kushtet ekstreme të të nxehtit, meriton respekt.

Po kështu, vullneti i tyre për t’u dhënë zë publikisht shqetësimeve e denoncimeve.

Të mos harrojme se prej 45 ditësh ata kanë qenë nën presionin sistematik  të regjimit policor, i cili përveç dhunës verbale se ka kursyer as atë policore duke kulmuar me shantazhin publik të kryepolicit se do të përndiqen edhe për lirinë e shprehjes në rrjetet sociale  me sebepin e vjetër të sabotazhit të ekonomisë si qëmoti.

Pra de facto regjimi i kriminalizuar i narkoeurove rikthen nenet e agjitacionit dhe propogandës bashkë me atë të sabotazhit.

Për të kuptuar se deri ku arrin ky regjim kriminal me protestuesit e ndershëm, mjafton të kujtojmë denoncimet publike të bëra nga ish-Ministrja e Jashtme, deputetja Elisa Spiropali si edhe deputetja Marjana Koçeku për shantazhet e përdorura  ndaj tyre për ti heshtur ato.

Janë përpëlitjet e pashmangshme të një regjimi kleptokratik, i cili kërkon të shtiret si i pathyeshëm tani kur dekompozimi i tij  po qelb dynjanë dhe jo vetëm Shqipërinë.

Ndaj persistenca dhe vendosmëria duhet të përshkallëzohen dhe kanalizohen së pari në një drejtim kyç: Ndryshimi i sistemit dhe kalimi drejt parlamentarizmit duke hedhur në Lanë  “noterizimin” dhe kukull-deputetët  që ka prodhuar regjimi i listave të mbyllura.

Parlamenti ka humbur cdo funksion kushtetues dhe nga institucioni më i rëndësishëm i Republikës është kthyer në noterin e rëndomtë të Kryeministrit.

Nuk e imagjinoj dot se si mund të votojnë Aktin Normativ për të paguar 4.2 milion euro nga fondi i fatkeqësive natyrore  për koncertin e një naziskini, ndërkohë që dje QSUT u lutet publikisht qytetarëve për të ndihmuar me shiringa, e kompjutera e gjëra elementare që nuk duhet të mungonin kurrë.

Ja ku përfundoi shëndetësia falas, e cila është e tillë vetëm sa hyn te dera e spitalit.

Cila mund të ishte zgjidhja më e mirë për t’i dhënë fund  “noterizmit” dhe rikthyer parlamentarizmin?

Zgjidhja më e plotë do të ishte rikthim i gjithë ndryshimeve kushtetuese të nxituara të bëra në prill 2008, përfshi edhe zgjedhjen e Presidentit, në mënyrë që ai të mos zgjidhet nga një mazhorancë e thjeshtë dhe të jetë nën kontrollin e saj.

Nëse ekziston shqetësimi se shumica e cilësuar për Presidentin mund të jetë burim krize, atëherë ai mund të zgjidhet nga populli si në Maqedoninë e Veriut.

Po kështu, vendosja në Kushtetutë si në Maqedoninë e Veriut e krijimit të Qeverisë Teknike para zgjedhjeve.

Një element i rëndësishëm demokratizues do të ishte rikthimi i balotazhit në zgjedhjet vendore, që jep mundësi për më shumë personalitete të pavarura.

Ndërsa për të lidhur deputetët me qytetarët janë dy variante: ose listat e hapura, ose variant që kishim deri në 2008 (mazhoritar i kombinuar më proporcional).

Besoj se ai sistem funksionoi shumë mirë për një kohë të gjatë dhe prodhoi individualitete të spikatura.

Sot asnjë qytetar nuk e di se cili është deputeti i tij.

Sot asnjë deputet nuk e di se cilët do të jenë votuesit e tij në zgjedhjet e ardhshme, para të cilëve do të japë llogari.

Por të gjithë e dinë se fati i tyre vendoset nga servilizmi ndaj Kryetarit të Partisë.

Kjo mungesë lidhjeje e drejtpërdrejtë i bën deputetët të pandjeshëm për pasojat e qytetarëve nga ligjet që ata miratojnë.

Po kështu, i zhvesh edhe nga identiteti dhe personaliteti publik që duhet të kenë.

Por ata që e pësojnë më shumë janë qytetarët, që jo vetëm nuk ndihen të përfaqësuar, por përjetojnë një përjashtim të pashpirt social, siç është provuar edhe nga dhuna barbare e ushtruar shpesh ndaj tyre, që nga Unaza, 5 Maji, Thethi, Rrjolli, Zvërneci e kudo.

Pa harruar këtu aktin barbar të shkatërrimit të Teatrit Kombëtar, që veç një akti korruptiv ishte një demonstrim tiranie ndaj artistëve, shoqërisë civile dhe gjithë qytetarëve.

Ndërkohë që gjymtimi i trashëgimisë kulturore dhe shkatërrimi i zonave të mbrojtura është bërë me ndryshime ligjesh të iniciuara nga deputetë anonimë që as kanë lexuar çfarë kanë firmosur.

Këto ditë banorët e Nikaj-Mërtur janë ngritur për të mbrojtur lumin e Mërturit pa të cilin nuk ka asnjë perspektivë për ripopullimin e asaj treve aq të bukur, e cila vitet e fundit u rigjallërua falë investimeve të vetë emigrantëve që nisën restaurimin e kullave të tyre dhe shndërrimin e tyre në bujtina mikpritëse.

Ndaj çdo ditë arsyet për protesta vetëm shtohen e përshkallëzohen se ky është regjim i atrofizuar që ka humbur çdo lloj ndjenje të përgjegjshmërisë dhe humanizmit.

As pushtuesit më barbarë nuk kanë sjellë shkatërrime të tilla.