Digjet kodra me ullinj në Dimal, dyshime se zjarri u vendos qëllimisht
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë këtë të martë kodrën me ullinj dhe pemë në fshatin Kutalli, në Bashkinë Dimal.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta, duke rrezikuar një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe bimësi.
Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse të Dimalit, Beratit dhe Kuçovës, të cilat kanë punuar për orë me radhë për lokalizimin e vatrës dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Sipas burimeve nga vendngjarja, zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa vijon puna për shuarjen e plotë të tij dhe eliminimin e çdo vatre aktive.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se ka dyshime të forta se zjarri është shkaktuar qëllimisht. Megjithatë, rrethanat e ngjarjes mbeten nën hetim.
Deri më tani nuk është bërë ende një përllogaritje e sipërfaqes së djegur, ndërsa pritet një vlerësim i plotë i dëmeve pasi flakët të shuhen plotësisht.