Zhupa: Mazhoranca rrëzoi shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ju duhen për projektet e 'The Albanian Files'

Kryetarja e Komisionit për kulturën, turizmin dhe diasporën Ina Zhupa, deklaroi se mazhoranca rrëzoi me 7 vota kundër kërkesën e saj për të përfshirë në projekt-kalendarin e punimeve nismën ligjore për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura, të depozituar prej saj më 14 maj.

Sipas Zhupës, refuzimi për ta futur nismën në kalendar deri në fund të korrikut tregon se mazhoranca nuk dëshiron as debat dhe as shfuqizimin e ligjit, pasi ai u shërben projekteve të parashikuara në zonat e mbrojtura.

Ajo argumentoi se ligji 21/2024 ka hapur rrugën për ndërtime në këto zona, duke dobësuar mbrojtjen e tyre, ndërsa e lidhi qëndrimin e mazhorancës me projektet e paraqitura në librin “The Albanian Files”, të promovuar nga Kryeministri Edi Rama si vizioni për zhvillimin e turizmit shqiptar.

Reagimi: 

Sot, në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën kërkova që në projekt-kalendarin e punimeve të përfshihej për shqyrtim nisma ime për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura, të cilën e kam depozituar që më 14 maj.

Përfaqësuesit e mazhorancës votuan 7 vota kundër dhe refuzuan ta fusin në kalendar deri në fund të korrikut. Një vendim që tregon qartë se nuk duan as debat, e jo më shfuqizim të këtij ligji.

Arsyeja është e qartë: shfuqizimi i ligjit do t’u prishte planet për betonizimin e zonave të mbrojtura. Pikërisht ato projekte që promovohen në librin “Albanian Files”, të shpallur nga Edi Rama si vizioni për të ardhmen e turizmit shqiptar, me vila, resorte dhe ndërtime në zemër të natyrës së mbrojtur.

Ligji 21/2024 hapi derën për ndërtime në zonat e mbrojtura, dobësoi mbrojtjen e pasurisë sonë natyrore dhe vuri në rrezik biodiversitetin, peizazhet dhe të ardhmen e turizmit të qëndrueshëm. Prandaj ai duhet të shfuqizohet sa më parë.