‘Digjet’ Europa, 10 mijë vdekje në një javë/ Temperaturat pritet të arrijnë 40 gradë Celsius në Itali, zjarre pranë Parisit
Periferia e Parisit digjet, ndërsa Evropa numëron viktimat nga vala e të nxehtit. Pylli i Fontainebleau, në jug të kryeqytetit francez, është përfshirë nga flakët. Avionët marrin ujë nga lumi Sena për ta hedhur mbi vatrat e zjarrit. Temperaturat e larta, që ushqejnë flakët, sot në Francën qendrore termometri vijonte të shënonte mbi 35 gradë Celsius, ndërsa në Itali, Firence, Oristano dhe Terni arritën në 38 gradë, po marrin edhe jetë njerëzish, veçanërisht të moshuarish. Gjatë javës nga 22 deri më 28 qershor, në kulmin e valës së dytë të të nxehtit, në 27 vendet e Bashkimit Evropian humbën jetën 10.650 persona. Mbi 9 mijë prej tyre ishin mbi 65 vjeç. Shumë prej tyre ndërruan jetë në heshtje, vetëm në banesat e tyre.
Statistikat e EuroMoMo, instituti i lidhur me ECDC (Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve) dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përbëjnë shifrat e para zyrtare që përkthejnë temperaturat ekstreme në numër viktimash. Të dhënat nuk janë të ndara sipas shteteve, por ekspertët e Statens Serum Institut në Kopenhagë, që administron EuroMoMo, janë shprehur se janë tronditur veçanërisht nga të dhënat që lidhen me Francën dhe Belgjikën.
Në kontinent, zakonisht rreth 70 mijë persona humbasin jetën gjatë javës së fundit të qershorit. Këtë vit, numri i vdekjeve arriti në rreth 80 mijë, të cilave u shtohen edhe 2.700 viktimat nga i nxehti të raportuara dje nga Britania e Madhe.
"Një devijim i tillë në këtë periudhë të vitit është vërtet i pazakontë. Bëhet fjalë për një shifër shumë të lartë", tha i habitur Lasse Vestergaard, epidemiolog në institutin danez që përpunoi të dhënat. Megjithatë, kulmi i vdekshmërisë ka shpjegime të qarta mjekësore, shpjegon Paola Michelozzi, drejtoreshë e Departamentit të Epidemiologjisë në ASL Roma 1, e cila së bashku me kolegët e saj ka analizuar valët e të nxehtit të viteve të kaluara.
"I nxehti mund të përkeqësojë shumë sëmundje kronike, sidomos tek të moshuarit", shpjegon ajo. "Lidhja me problemet e zemrës dhe të frymëmarrjes është e qartë. Temperaturat e larta, për shembull, ndryshojnë viskozitetin e gjakut dhe shpejtësinë e koagulimit. Ndikimi i të nxehtit mbi sëmundje të tjera është më i vështirë për t'u kuptuar. E dimë se rrit vdekshmërinë nga shkaqe neurologjike, por mekanizmat nuk janë ende të njohur. Duket se përkeqëson edhe funksionet njohëse, duke prekur veçanërisht pacientët me demencë. Për më tepër, i nxehti ndërvepron me shumë medikamente. Mendoj, për shembull, për antidepresivët, të cilët mund të ndikojnë në aftësinë e organizmit për të rregulluar temperaturën e trupit, duke rritur rrezikun për dehidrim, goditje nga i nxehti dhe tension të ulët. Përshtatja është më e vështirë për njerëzit me nivel të ulët socio-ekonomik, si për shkak se kanë më pak mundësi të përdorin ajër të kondicionuar, ashtu edhe sepse zakonisht preken më shumë nga sëmundjet kronike."
Nëse dikur të ftohtit dhe gripi shkaktonin më shumë viktima, "sot në Itali modelet tregojnë se ndikimi i të nxehtit është shumë më i madh sesa ai i temperaturave të ulëta", konfirmon Michelozzi. Nga ky këndvështrim, dita e sotme parashikohet të jetë veçanërisht kritike, me temperatura deri në 40 gradë Celsius në shumë zona të Italisë. Ministria italiane e Shëndetësisë, e cila dje kishte shpallur alarmin maksimal me "kod të kuq" vetëm për dy qytete (Firence dhe Peruxhia), sot e ka zgjeruar atë në katër qytete, duke shtuar edhe Breshian dhe Torinon. Nesër niveli më i lartë i alarmit do të shtrihet edhe në Romë, Frosinone dhe Bolonjë. Në Firence, alarmi i kuq vazhdon pa ndërprerje që prej 8 korrikut.
Përveç të moshuarve, situata shqetëson edhe fëmijët, veçanërisht më të vegjlit që ende ndjekin kopshtet dhe çerdhet. Për çerdhet "të nxehta si furra", një grup prindërish protestoi dje gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak në Bolonjë.
Ndërkohë, zjarret nuk po kursejnë as Italinë. Vatra zjarri janë regjistruar në provincën e Udines, në Pozzuoli pranë Akademisë Aeronautike, në Gallura të Sardenjës shumë afër plazheve, si edhe në Gallipoli. Në Piemonte, zjarrfikësit ende po përpiqen të shuajnë plotësisht vatrat që ishin izoluar ditët e fundit në Val d'Ossola.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez vizitoi komunat e goditura nga zjarri i së premtes në Andaluzi. Bilanci i viktimave është rritur në 13, ndërsa gjashtë prej tyre ende nuk janë identifikuar.
"Pasojat e krizës klimatike po bëhen gjithnjë e më të rënda", deklaroi Sánchez. "Vera që po përjetojmë pritet të jetë jashtëzakonisht e vështirë."/La Repubblica