Allegri prezantohet te Napoli: Jam me fat që trashëgoj sërish një skuadër të Contes

Massimiliano Allegri është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i Napolit, duke nisur një aventurë të re pas largimit nga Milani. Gjatë konferencës për shtyp në Teatrin “San Carlo”, tekniku livornez u shpreh entuziast për sfidën e re dhe nuk kurseu vlerësimet për paraardhësin e tij, Antonio Conte.

“Duhet ta falënderoj presidentin Aurelio De Laurentiis. Që kur ai drejton klubin, Napoli ka qenë vazhdimisht protagonist në Europë dhe ka fituar tituj në Itali. Është një skuadër e mësuar të punojë dhe Conte ka treguar vlerat e tij gjatë gjithë karrierës. Jam me fat, sepse është hera e dytë që trashëgoj një ekip të ndërtuar prej tij. Shpresoj që të jetë një ogur i mirë, siç ndodhi në të kaluarën”, deklaroi Allegri.

Trajneri 58-vjeçar theksoi se objektivi kryesor është ndërtimi i një skuadre të fortë për momentet vendimtare të sezonit.

“Duhet të krijojmë bazat për të mbërritur në mars në formën më të mirë, sepse aty vendosen sezonet. Nga nesër nis një aventurë e mrekullueshme. Napoli është një qytet i jashtëzakonshëm dhe plot pasion”, u shpreh ai.

I pyetur për zërat që e lidhnin me pankinën e kombëtares italiane, Allegri ishte i prerë: “Nuk kam pasur kurrë kontakte me Italinë.”

Sa i përket mënyrës së lojës, ai shmangu të fliste për skema fikse.

“Futbolli është i bukur sepse secili ka mendimin e tij. Kemi një skuadër të fortë me lojtarë që mund të përshtaten në sisteme të ndryshme. Mbi të gjitha duhen dëshira dhe entuziazmi”, tha trajneri.

Allegri u ndal edhe te largimi nga Milani, duke pranuar se sezoni i kaluar ishte zhgënjyes.

“Më vjen shumë keq për mënyrën si përfundoi aventura te Milani. Dua të falënderoj të gjithë ata me të cilët kam punuar. Ishte hera e parë në karrierën time që mbeta jashtë katër vendeve të para dhe nuk e mohoj se e kam përjetuar keq. Tani, megjithatë, nis një sezon i ri”, deklaroi ai.

Në lidhje me merkaton, Allegri u tregua i kujdesshëm, duke theksuar se skuadra ka tashmë një bazë cilësore.

“Klubi do të merret me merkaton. Do të bëjmë vlerësimet tona dhe më pas do të shohim nëse na mungon diçka. Objektivi është të jemi konkurrues, por edhe të qëndrueshëm. Skuadra është tashmë e fortë.”

Tekniku italian foli edhe për emra si Rasmus Hojlund dhe Kevin De Bruyne.

“Jam i lumtur që do të stërvis Hojlundin. Vitin e kaluar nuk e mora, këtë vit po. Ndërsa për De Bruyne, më lini ta shoh fillimisht në stërvitje. Sigurisht që di të luajë futboll”, tha ai me humor.

Në fund, Allegri u ndal edhe te marrëdhënia me presidentin De Laurentiis, duke theksuar se bashkëpunimi do të bazohet në dialog.

“Si në çdo familje të mirë, do të ketë diskutime, mendime të ndryshme dhe ndonjë debat. Por në fund duhet të jemi të gjithë në një linjë për të arritur objektivat e klubit”, përfundoi trajneri i ri i Napolit.