‘Ishte një çmenduri’/ Si u kthye fluturimi drejt Tiranës në një makth që zgjati 12 orë
Nga Imogen Garfinkel, DAILY MAIL
Një fluturim i Ryanair nga Londra drejt Tiranës, i planifikuar të zgjaste vetëm tre orë, u kthye në një makth prej 12 orësh, pas dy devijimeve të itinerarit dhe ndërhyrjes së policisë.
Një burim i tha gazetës Daily Mail se si pasagjerët e tmerruar, duke bërtitur, organizuan një lloj “revolte” kundër kapitenit, duke kërkuar të zbrisnin nga avioni. Ai përshkroi gjithashtu se si një pasagjer tepër i dehur u “kap dhe u kthye me forcë në vendin e tij” nga një stjuardesë.
Fluturimi i orës 16:00 më 3 qershor pati një fillim të vështirë, pasi disa britanikë ishin dukshëm të dehur që në ngritje, ndërsa përgatiteshin për sezonin e festivaleve në Shqipëri.
Avioni i Ryanair ishte i mbushur me grupe të zhurmshme djemsh që festonin paraprakisht (stag do) dhe të rinj që mbanin shishe vodka të blera në Duty Free, ndërsa mezi prisnin pushimet e tyre verore në Gadishullin Ballkanik.
Por turistët përfunduan duke përjetuar fluturimin nga ferri, mes një stuhie të frikshme me bubullima që vazhdoi gjatë gjithë natës dhe që shkaktoi dy devijime të gjata të fluturimit.
Fluturimi RK8288 u devijua dy herë – fillimisht drejt Italisë dhe më pas drejt Greqisë – përpara se më në fund të ulej në kryeqytetin shqiptar në orën 05:00 të mëngjesit sipas kohës lokale, rreth nëntë orë pas orarit të planifikuar të mbërritjes.
Sipas burimit, i cili foli në mënyrë anonime për Daily Mail, furnizimet me ushqim dhe ujë mbaruan, turistët e shqetësuar organizuan një “revoltë”, ndërsa policia greke madje u thirr në bord për të qetësuar situatën kaotike.
“Ai është frikacak, piloti duhet të dalë dhe të përballet me ne si burrë!” – bërtisnin një grup burrash të zemëruar drejt kabinës së pilotit, ndërsa ëndrrat e tyre për pushime verore u shndërruan me shpejtësi në një makth.
Rreth një duzinë turistësh të pakënaqur madje kërkuan të zbrisnin nga avioni në Greqi, pas orësh konfuzioni dhe zhgënjimi në ajër, që çuan në një shpërthim zemërimi.
Një burrë volli mbi veten vetëm disa sekonda para se avioni të nisej përsëri dhe vrapoi drejt tualetit – duke u kthyer pak çaste më vonë pa këmishë, mes një kori duartrokitjesh dhe fishkëllimash.
"Ishim të rraskapitur, të shkatërruar," tha pasagjeri anonim, duke përshkruar lehtësimin kur më në fund mbërritën në Tiranë, edhe pse me disa orë vonesë.
Gjatë gjithë fluturimit, ai arriti të hante vetëm një kuti Pringles së bashku me mikun e tij, duke shtuar:
"Mendoj se në thelb kjo ishte e vetmja gjë që ishte në dispozicion."
Rreth katër orë pas ngritjes nga Londra, udhëtarët menduan se avioni po bëhej gati të ulej në Tiranë, por në fakt ai po afrohej drejt aeroportit të Brindisit në Itali.
"Rreth dhjetë minuta para uljes, piloti tha: 'Meqë ra fjala, nuk mundëm të uleshim në Shqipëri, tani jemi në Brindisi të Italisë.'
"Ne thamë: 'Ah, ky nuk ishte destinacioni ku donim të shkonim.'"
"Qëndruam aty për dy, ndoshta tre orë në pistë. Njerëzit po bëheshin gjithnjë e më të shqetësuar dhe të irrituar."
Në atë moment, pasagjeri pretendoi se ekuipazhi i Ryanair refuzoi të vazhdonte të shiste ushqime dhe pije.
"Nuk dhanë asgjë falas dhe madje nuk mund të blije asgjë. Njerëzit ishin natyrshëm të etur dhe të uritur. Në atë pikë kishim qenë në avion për katër orë, ndoshta edhe më shumë. Nuk mund të merrje asgjë," tha ai.
Për të qetësuar urinë, udhëtarët u detyruan të mbështeteshin te mirësia e të panjohurve dhe të ndanin mes tyre ushqimet që kishin.
Më në fund ekuipazhi pranoi dhe lejoi pasagjerët të blinin pije freskuese – madje duke i detyruar të paguanin edhe për ujin – por shumë shpejt të gjitha furnizimet mbaruan, përveç disa pakove me patatina, sipas tij.
Kur uji nuk ishte më në dispozicion, pasagjerëve iu ofrua Ribena për ta blerë, por edhe ajo mbaroi shpejt.
Një pasagjer i shqetësuar, i përshkruar si "qartazi i dehur", refuzoi të dëgjonte udhëzimet dhe filloi të ecte nëpër avion, duke bërë që një stjuardesë të duhej ta "përplaste dhe ta kthente në vendin e tij."
"Ajo fjalë për fjalë e kapi, e ngriti si një fëmijë dhe e shtyu përsëri në sedilje... ishte diçka e çmendur."
Shpejt pas kësaj, piloti njoftoi se avioni ishte gati të nisej përsëri, këtë herë drejt Tiranës, por udhëtimi ishte larg përfundimit, pasi prisnin pengesa të tjera.
"Jemi rrugës për në Shqipëri dhe pastaj, përsëri, dhjetë minuta para uljes, piloti thotë: 'Nuk do të shkojmë në Shqipëri, në fakt po bëhemi gati të ulemi në Selanik të Greqisë.'"
Në këtë pikë, pasagjeri tha: "Të gjithë po humbnin mendjen."
Kur avioni mbërriti në Selanik, atëherë filloi "revolta".
"Njerëzit po bërtisnin drejt kabinës së pilotit, duke e quajtur frikacak dhe duke i thënë të dilte jashtë e të përballej me ta si burrë," tha pasagjeri.
Rreth një duzinë pasagjerësh më pas njoftuan se do të zbrisnin nga avioni, duke i thënë kapitenit: "Nuk ka asnjë mënyrë që të na mbani këtu."
Policia greke u thirr në avion dhe, sipas raportimeve, u tha ekuipazhit që t'i lejonte turistët e pakënaqur të zbrisnin.
Në fund, avioni arriti të ulej në Tiranë rreth orës 05:00 të mëngjesit sipas kohës lokale, dhe piloti tha: "Mirë se vini në Shqipëri."
Të gjithë në avion duartrokitën, të lehtësuar që më në fund kishin mbërritur në destinacion pa pasoja.
Pasagjeri tha se nuk ka arritur ende të marrë asnjë rimbursim për udhëtimin, i cili zgjati nëntë orë më shumë se sa ishte planifikuar.
"Ishte një refuzim automatik sapo vendosa numrin e fluturimit. Mora një email automatik që thoshte: 'Kërkesa juaj është refuzuar.'"
Ai ka vendosur ta çojë më tej ankesën e tij te AviationADR, me shpresën se do të marrë një kompensim.
Në një letër dërguar pasagjerit, të parë nga Daily Mail, Ryanair tha se fluturimi ishte "ndërprerë për shkak të rrethanave të papritura dhe të jashtëzakonshme, të cilat ishin përtej kontrollit tonë."
Një zëdhënës i Ryanair tha: "Ky fluturim nga Londra Stansted drejt Tiranës u devijua në Brindisi për shkak të kushteve të këqija atmosferike në aeroportin e Tiranës, por më pas u devijua drejt aeroportit të Selanikut për shkak të një stuhie me bubullima. Pas 45 minutash, ekuipazhi hapi baret në bord në mënyrë që pasagjerët të mund të merrnin ushqime të lehta dhe pije freskuese. Pasagjerët e rezervuar në këtë fluturim morën njoftime përmes email-it, SMS-ve dhe njoftimeve PUSH. Pasi kushtet atmosferike u përmirësuan, ky fluturim u nis drejt Tiranës në orën 04:44 sipas kohës lokale."