Drejtësia vendos pafajësinë për ‘bana king’ - Zbardhet vendimi i gjykatës: Kokaina ‘u harrua’ nga italianet
Drejtësia shqiptare ka thënë fjalën e saj të fundit, duke zbardhur të vërtetën mbi rastin e përdorimit të kontenierëve një kompanie të njohur për importin e bananeve, nga grupet e trafikut të drogës që veprojnë mes Amerikës Latine dhe Shqipërisë.
Bëhet fjalë për kompaninë “Ziko sh.a”, të njohur përmes markës prestigjoze “Bana King”.
Televizioni Klan disponon vendimin e plotë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të shpallur nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, i cili ka vendosur pushimin e çështjes dhe heqjen e çdo akuze ndaj presidentit të kompanisë, Trifon Murataj, administratorit Petrit Demishaj dhe vetë subjektit juridik.
Vendimi, i cili ka marrë formë të prerë më datë 23 qershor 2026, vërteton me dokumente zyrtare atë që kompania deklaroi që në ditën e parë, se "Bana King" ishte viktimë e pastër e një tentative "kontaminimi" nga grupe kriminale ndërkombëtare, të cilat shfrytëzojnë linjat legjitime të tregtisë për të transportuar sasi të konsiderueshme të kokainës të prodhuar në Amerikën Latine.
Kompania njoftoi vetë policinë përpara kapjes së ngarkesës
Në arsyetimin e prokurorisë së Durrësit dhe vendimin e Gjykatës evidentohet fakti se
drejtuesit e kompanisë "Zico sh.a" kishin njoftuar zyrtarisht të gjitha instancat shtetërore për rrezikun se kontenierë e saj mund të përdoreshin nga narko-trafikantët, shumë ditë përpara se anija me kontenierë të mbërrinte në Shqipëri.
Sipas dokumentit të gjykatës, më datë 19 tetor 2022, gati dy javë para kontrollit në port, kompania kishte dërguar një shkresë zyrtare të protokolluar me Nr. 16140, drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Doganës dhe Kufirit Durrës. Në këtë shkresë, "Bana King" kërkonte vetë kontrollin e kontenierëve të saj, pasi kishte sinjale nga furnitorët për tentativa të grupeve të trafikut në Ekuador për të trafikuar kokainë në mesin e ngarkesave me banane që ajo kishte porositur.
Në vendim citohet deklarata e presidentit të kompanisë, Trifon Murataj, i cili sqaron se kjo është një procedurë standarde sigurie që ai e ndjek me rigorozitet të lartë.
“Prej vitit 2013 e në vijim ka bërë kërkesa drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Doganave etj., kur ka marrë informacion... që grupet kriminale tentojnë të kontaminojnë me mallra të paligjshme kontenierët e shoqërisë së tij. Kërkesa është bërë dhe për rastin në fjalë.”
Droga ishte harruar nga trafikantët në Itali
Një tjetër element kyç që çmontoi përfundimisht çdo hije dyshimi mbi kompaninë shqiptare ishin letërporositë e ardhur nga autoritetet europiane. Raporti ekzekutiv i autoriteteve zvicerane zbardhi skemën e vërtetë, duke vërtetuar se sasia prej 33 kg kokainë e gjetur në Durrës nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë apo porosinë e "Bana King", por ishte thjesht një mbetje e harruar nga trafikantët në portet e Italisë.Në vendimin e gjykatës citohet shprehimisht ky paragraf.
“Nga autoritetet zvicerane raportohet hipoteza në lidhje me rrjedhjen e ngjarjeve dhe theksohet se droga e sekuestruar në Durrës... është thjesht një mbetje e harruar, pjesë e një dërgese shumë më të madhe 'Kokaine', të dërguar nga Ekuadori te marrësit në Seli në Portin Gioia Tauro, Itali.”
Siç sqarohet më tej, kontenieri ishte hapur dhe kontrolluar paraprakisht në Gioia Tauro, në Itali, ku ishin zbritur 50 kuti me banane pa asnjë problem, moment ky ku dyshohet se rrjetet kriminale kanë tërhequr ngarkesën e tyre të paligjshme, duke harruar një pjesë të vogël brenda në kontenier.
Përveç dëshmive të punonjësve në Ekuador, që deklaruan se nuk kishin asnjë njohje me shtetasitTrifon Murataj e Petrit Demishaj, edhe pafajësia e tyre u vërtetua edhe shkencërisht. Ekspertiza traseologjike dhe vlerësimi i provave materiale doli në përfundimin se në pakot e sekuestruara “nuk janë përftuar gjurmë papilare të vlefshme për identifikim” që të çonin drejt kompanisë. Po ashtu, kontrolli i hollësishëm i telefonit celular të administratorit vërtetoi se nuk ekzistonte asnjë komunikim i dyshimtë.
Në fund të shqyrtimit të të gjitha akteve hetimore, Gjykata e Durrësit, me mbështetjen e plotë edhe të vetë Prokurorisë, e cila tërhoqi akuzat, vendosi të pastrojë përfundimisht emrin e këtij biznesi të madh që punëson qindra shqiptarë.
Gjykata vendosi pushimin e plotë të hetimeve dhe të çështjes penale në ngarkim të z. Trifon Murataj, z. Petrit Demishaj dhe subjektit juridik "Zico sh.a".
Kthimin e menjëhershëm të "Garancisë pasurore" prej 3.000.000 lekësh zotit Murataj, duke shuar çdo masë shtrënguese ndaj tij dhe administratorit të kompanisë.
Hetimi i prokurorisë së Durrësit dhe vendimi i formës së prerë të Gjykatës, provoi edhe njëherë se grupet e krimit transnacional përdorin logjistikën e bizneseve të ndershme për të kaluar sasitë e tyre të drogës nga Amerika Latine drejt Europës, nëpërmjet porteve të ndryshme detare.