SYRI TV/ BE mban 4 konferenca për integrimin, 3 kapitujt e Shqipërisë procedurë, Mali i Zi mbylli 18

Bashkimi Europian rikonfirmon edhe njëherë sot gatishmërinë e Unionit për zgjerim me vendet kandidate. Që në orët e para të mëngjesit, eurokomisionerja Marta Kos deklaroi se, pas dy dekadash, do të mbahen katër konferenca ndërqeveritare. Mali i Zi do të mbyllë 18 nga 33 kapitujt, ndërsa Shqipëria do të mbyllë tre kapitujt e parë.

Për ekspertët dhe njohësit e politikave europiane, vetëm Mali i Zi ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit, por edhe për të mbetet ende larg përmbylljes së procesit brenda vitit 2028. Për Shqipërinë, mbyllja e tre kapitujve të parë cilësohet si një procedurë formale, pasi edhe në të shkuarën këto kapituj janë mbyllur pa negociata të mirëfillta. Sfida e vërtetë, sipas tyre, sapo ka nisur, pasi vetëm në raportin e fundit të IBAR, Bashkimi Europian shtoi mbi 20 kushte themelore për Tiranën.

Bashkimi Europian do të ketë sot një axhendë të ngjeshur për të konfirmuar edhe njëherë gatishmërinë e Unionit për t’u zgjeruar me vendet e tjera. Sot në Bruksel pritet të mbahen katër konferenca ndërqeveritare, mes tyre edhe ajo me Shqipërinë, për të avancuar procesin e integrimit të vendeve kandidate.

Që në orët e para të mëngjesit, eurokomisionerja Marta Kos e ka cilësuar këtë ditë si “Super të martën”, pasi pas më shumë se dy dekadash bllokim të proceseve të anëtarësimit, po zhvillohen katër konferenca negociatash.

“Sot është një Super e Martë për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca anëtarësimi në të njëjtën ditë. Katër vendet tona kryesuese – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po hedhin hapa të rëndësishëm përpara. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj. Tani ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, deklaroi Kos.

Teksa Mali i Zi mbetet i vetmi vend që ka në horizont mundësinë reale të anëtarësimit, thuajse të gjitha vendet e tjera konsiderohen ende shumë larg dhe përballen me një rrugë të vështirë. Ekspertë dhe gazetarë pranë institucioneve të Brukselit analizojnë se anëtarësimi i Malit të Zi në BE është i vështirë të realizohet brenda afatit të deklaruar nga Podgorica, edhe pse ky vend ka mbyllur më shumë se gjysmën e kapitujve të negociatave.

Për rastin e Shqipërisë, gazetari Agustin Palokaj, i mirëinformuar për këto procese, e cilëson mbylljen e tre kapitujve të parë si një procedurë protokollare, pasi edhe në të shkuarën, për vendet e tjera, këto kapituj janë mbyllur menjëherë dhe pa negociata të thelluara. Sipas tij, rruga e vështirë për Tiranën sapo ka nisur, me raporte dhe kritika të forta për funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Dy kapitujt e parë nuk negociohen fare dhe më parë janë hapur dhe mbyllur menjëherë. Madje, këta dy kapituj i ka mbyllur edhe Serbia, e cila ende nuk i ka hapur të gjithë kapitujt. Diplomatët nga vendet anëtare, edhe në ditën kur ranë dakord për mbylljen e tre kapitujve, kanë përsëritur se Shqipëria ka disa çështje rreth sundimit të ligjit dhe se presin që Tirana të sigurojë punën e pavarur dhe të papenguar të gjyqësorit, sidomos të SPAK-ut”, është shprehur Palokaj.

Ndryshe nga sa ndodh realisht në këtë proces, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta përdorë politikisht dhe në favor të tij këtë procedurë të Bashkimit Europian, ndërkohë që vetëm në raportin e fundit të IBAR, BE ka shtuar mbi 20 kushte themelore për anëtarësimin e Shqipërisë.