Kryeministri polak: Paqja në Ukrainë nuk ka gjasa të arrihet së shpejti

Kryeministri polak Donald Tusk tha të martën se dukej shumë e pamundur që paqja në Ukrainë të arrihej së shpejti, dhe se priste që Rusia ta zgjaste konfliktin të paktën deri në dimër.

Ai tha se e kishte diskutuar situatën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Në këtë pikë, duket e pamundur që të arrihet një armëpushim ose një marrëveshje paqeje në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh qëndrimin e ngurtë të Rusisë dhe Putinit”, u tha Tusk gazetarëve në Paris.

“Të gjithë presin një përshkallëzim të veprimeve nga Rusia në këtë kohë dhe është shumë e mundshme që Rusia të dëshirojë ta zgjasë këtë luftë të paktën deri në dimër”, shtoi ai.

Tusk tha se Polonia do të organizojë stërvitje ushtarake me trupa franceze dhe britanike në vjeshtë, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për të siguruar sigurinë për Ukrainën dhe rajonin pasi të arrihet përfundimisht një marrëveshje paqeje ose armëpushim.

“Këto do të jenë ushtrime që do ta përgatisin të gjithë koalicionin (e të gatshëmve) të mbledhur sot në Paris për garanci të tilla reale sigurie për Ukrainën, por edhe për rajonin”, tha ai.