SHBA zgjeron sanksionet kundër Kubës, synohet edhe sektorin e turizmit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sot sanksione të reja ndaj Kubës, duke shtuar Ministrinë Kubane të Turizmit në listën e subjekteve të sanksionuara.
Ministria e Turizmit është një nga 10 agjencitë dhe kompanitë qeveritare të mbuluara nga masat e reja, sipas udhëzimeve të përditësuara nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) në Departamentin e Thesarit të SHBA-së, raporton Reuters.
Shitësit me shumicë të karburantit Korejdan dhe Enetek, si dhe kompania shtetërore tregtare Gekomex, u shtuan në listën e sanksioneve .
Sanksionet janë shtrirë edhe ndaj organizatave që, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, shërbejnë për të monitoruar kundërshtarët politikë dhe për të shtypur mospajtimin, përfshirë Shoqatën e Luftëtarëve të Revolucionit Kuban dhe Brigadën e Reagimit të Shpejtë.
Ministria e Turizmit është lojtari më i madh në sektorin e turizmit të Kubës pas konglomeratit të biznesit ushtarak Gaesa, i cili u sanksionua në maj.
Profesori i Universitetit Augusta në shtetin amerikan të Xhorxhias, Paolo Spadoni, vlerësoi se sanksionet kundër Gaesa-s prekën më shumë se gjysmën e kapaciteteve hoteliere në Kubë, ndërsa përfshirja e Ministrisë së Turizmit në listën e sanksioneve praktikisht do të mbulojë pothuajse të gjithë industrinë hoteliere në ishull.
Kompania spanjolle Melia Hotels International njoftoi muajin e kaluar se po tërhiqte markat e saj dhe po ndërpret menjëherë kontratat e menaxhimit me 15 hotele në Kubë.
Sipas agjencisë, në muajt e fundit, Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio kanë futur sanksione të reja ndaj Kubës pothuajse çdo javë me qëllim të ushtrimit të presionit mbi autoritetet e vendit.
Kuba njoftoi se është gati për reforma ekonomike dhe negociata, por se sistemi i saj politik nuk është subjekt diskutimi.