Ylli i 'The Vampire Diaries' martohet për herë të tretë, qeni i çiftit merr gjithë vëmendjen në ceremoni
Paul Wesley dhe partnerja e tij, Natalie Kuckenburg, kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë. Aktori i njohur për rolin e Stefan Salvatore në serialin “The Vampire Diaries” dhe modelja 26-vjeçare organizuan një ceremoni civile intime, larg zhurmës së dasmave madhështore të personazheve të njohur.
Lajmin e bukur e bëri publik Natalie përmes disa fotografive nga dita e veçantë, të cilat i shoqëroi me mbishkrimin: “Zoti dhe zonja Wesley dhe djali më i mirë Greg”.
Në fotot e publikuara, çifti shfaqet gjatë ceremonisë së celebrimit, ndërsa pranë tyre ndodhej edhe qeni Greg, i cili mori rolin e “Best Boy” dhe duket se vodhi vëmendjen e të gjithëve.
Për këtë ditë, Natalie kishte zgjedhur një fustan elegant nga koleksioni i markës Galia Lahav. Ndërkohë, Wesley u paraqit me një kostum klasik blu të errët dhe kravatë në të njëjtën nuancë.
Historia e tyre e dashurisë nisi në fund të vitit 2022, pasi u njohën rastësisht në një lokal në New York. Aktori kishte treguar më herët se e kishte vënë re Natalien në anën tjetër të ambientit dhe kishte marrë guximin t’i afrohej. Një mik i përbashkët e kishte bërë më të lehtë njohjen mes tyre.
Çifti u fejua gjatë një udhëtimi romantik në Itali, ku Natalie publikoi unazën e fejesës dhe shkroi: “Po. Gjithmonë dhe përgjithmonë”.
Urimet për të sapomartuarit nuk kanë munguar në rrjetet sociale. Mes tyre ishte edhe Nina Dobrev, kolegia dhe mikja e vjetër e Wesley-t, e cila komentoi: “Urime!!!!”, shoqëruar me emoji zemrash.
Kjo është martesa e tretë për Paul Wesley. Ai ka qenë më parë i martuar me aktoren Torrey DeVitto, ndërsa më pas me Ines de Ramon aktualisht partnerja e Brad Pitt, divorci me të cilën u finalizua në vitin 2024./Bordo