Egnatia kërkon kualifikimin në shtëpi, kampionët presin Petrocub në ‘Arena Egnatia’
Egnatia do të zbresë mbrëmjen e së mërkurës në fushë për ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të UEFA Champions League, ku do të përballet me kampionët e Moldavisë, Petrocub. Takimi do të zhvillohet në “Arena Egnatia” dhe do të nisë në orën 21:00.
Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede vjen pas një paraqitjeje pozitive në transfertë, ku arriti të merrte një barazim të rëndësishëm 1-1 në Moldavi. Edhe pse u gjend në disavantazh që në minutën e parë, Egnatia reagoi me karakter dhe gjeti golin e barazimit me Altin Kryeziun, duke e lënë plotësisht të hapur çështjen e kualifikimit.
Kampionët e Shqipërisë treguan forcë dhe personalitet, pavarësisht se luajtën të gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak. Rrogozhinasit arritën të ruanin rezultatin dhe u rikthyen në shtëpi me një rezultat që u jep besim për sfidën vendimtare.
Tashmë gjithçka do të vendoset në Rrogozhinë, aty ku Egnatia do të kërkojë mbështetjen e tifozëve për të siguruar kualifikimin dhe për të vijuar aventurën në kompeticionin më prestigjioz europian për klube.
Kalimi i këtij raundi do të ishte një tjetër arritje e rëndësishme për kampionët e Shqipërisë dhe një kontribut i çmuar për futbollin shqiptar në arenën europiane.