'Pensioni nuk mbulon asgjë', të moshuarit në Elbasan: Bonuset, tallje, shteti na ka harruar

Pensionistët në qytetin e Elbasanit vijojnë të përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, ndërsa pensionet e ulëta nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat bazë të jetesës.

Shumë prej tyre thonë për Syri TV se me një pension që në shumicën e rasteve shkon rreth 150 mijë lekë të vjetra, e kanë të pamundur të përballojnë shpenzimet mujore. Sipas tyre, një pjesë e madhe e të ardhurave shkon për ilaçe, ndërsa për ushqime detyrohen të zgjedhin vetëm produktet më të lira.

Pensionistët shprehen se kanë punuar për dekada të tëra, por sot ndihen të harruar dhe të pambështetur nga shteti.

Kanë qenë vite pune dhe sakrificash, por sot nuk po marrim atë që meritojmë”, thonë ata, duke kritikuar edhe bonuset e dhëna nga qeveria, të cilat i cilësojnë si të pamjaftueshme dhe thjesht një zgjidhje momentale.

Sipas tyre, bonuset prej 50 mijë lekësh të vjetra nuk ndryshojnë situatën e tyre ekonomike dhe nuk përballojnë kostot gjithnjë në rritje të jetesës.

Një tjetër problem për të moshuarit mbetet largimi i fëmijëve jashtë vendit. Shumë prej pensionistëve tregojnë se mbështeten te ndihma e familjarëve emigrantë për të paguar faturat, ilaçet dhe detyrimet mujore.

Përveç vështirësive financiare, ata denoncojnë edhe mungesën e shërbimeve të duhura në institucione dhe probleme me sistemin shëndetësor.

Të zhgënjyer nga situata, pensionistët në Elbasan thonë se ndihen të braktisur dhe pa shpresë për një përmirësim të kushteve të tyre të jetesës. Sipas tyre, shteti nuk po kujdeset për shtresat më të prekura të shoqërisë.