QSUT pa pajisje, 4.2 mln euro për koncertin/ Meta: Rama ka zgjedhur korrupsionin, jo shëndetin e qytetarëve

Në një reagim në rrjetet e tij sociale, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka akuzuar qeverinë Rama se ka braktisur sistemin shëndetësor, duke e lënë QSUT-në pa pajisjet bazë për trajtimin dhe shpëtimin e jetës së pacientëve, ndërsa miliona euro nga fondet publike shpenzohen për aktivitete luksi si koncerti i Kanye West.

Meta e cilësoi kërkesën e QSUT-së drejtuar qytetarëve për ndihmë si një dëshmi të degradimit të rëndë të shëndetësisë publike, duke deklaruar se qeveria ka vendosur në prioritet korrupsionin dhe shpërdorimin e parave të taksapaguesve, në vend të investimeve për spitale dhe shërbime jetike.

Kreu i Partisë së Lirisë u shpreh se, mungesa e pajisjeve mjekësore në spitalin më të madh të vendit është tregues i një politike të qëllimshme neglizhence, ndërsa fondet që duhet të shkonin për shëndetësinë përdoren për shpenzime që ai i cilëson si “cirk” dhe sjell si shembull përdorimin e 4.2 milionë eurove nga Fondi i Emergjencave për koncertin e Kanye West.

Postimi:

Në vend që qytetarët të marrin shërbimet e duhura jetike që prej kohësh mungojnë në sistemin shëndetësor, Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT) rezulton se nuk disponon as pajisjet më bazike, të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe shpëtimin e jetës.

Paradoksalisht, QSUT meriton të falënderohet që e bëri publik degradimin e qëllimshëm dhe kriminal në të cilën ndodhet shërbimi shëndetësor, duke iu drejtuar qytetarëve për ndihmë, pasi duket se nuk ka më mundësi t'i drejtohet Qeverisë, e cila ka vendosur si prioritet korrupsionin dhe vjedhjen e parave publike.

Kjo braktisje e rëndë e pacientëve dhe e njerëzve në nevojë në spitale është një tregues i qartë se për Edi Ramën mbrojtja e shëndetit publik nuk ka qenë kurrë prioritet.

Në vend të saj, prioritet mbetet korrupsioni dhe shpërdorimi i fondeve publike, përfshirë edhe 4.2 milionë euro nga Fondi i Emergjencave, të përdorura për cirk, si koncerti i Kanye West.