Shpërthime të fuqishme nga raketa balistike dhe dronë në Kiev dhe qytete të tjera

Një valë e re sulmesh ruse goditi Ukrainën gjatë natës, ndërsa kryeqyteti Kiev u trondit nga një seri shpërthimesh të fuqishme pas mesnatës. Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën tetë raketa balistike goditën zonën industriale të distriktit Holosiivskyi (Goloseevo), duke shkaktuar zjarre të mëdha në disa fabrika.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan menjëherë për të zmbrapsur sulmin, ndërsa alarmi ajror në kryeqytet zgjati rreth 50 minuta. Ai shtoi se mbetjet e një droni ranë në një periferi lindore të qytetit, ku disa automjete u përfshinë nga flakët.

Nga ana tjetër, kreu i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, bëri të ditur se dy depo u goditën dhe morën flakë në lagjen Holosiivskyi, pranë qendrës së qytetit.

Shpërthime u raportuan gjithashtu në Odesa, Sumy dhe në periferi të Kharkivit, ndërsa sulmet u shtrinë edhe në rajone të tjera të Ukrainës.

Në Zaporizhia, autoritetet raportuan se 11 persona mbetën të plagosur pas sulmeve me dronë rusë, ndërsa gjashtë persona të tjerë u plagosën në zonën e Kharkivit, sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Oleh Sinehubov.