Nisma për shkarkimin e Abdixhikut: Të pakënaqurit e LDK-së sot dorëzojnë nënshkrimet për Kuvendin e Jashtëzakonshëm

Delegatët e LDK-së, të cilët janë të pakënaqur me udhëheqjen aktuale të partisë, sot do të veprojnë.

Gazeta Nacionale ka mësuar se ata sot do t`i dorëzojnë nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku do të kërkohet shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit.

Gjithashtu gazeta ka mësuar se deri me tani janë siguruar 150 nënshkrime.

Kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, kurse mbledhjen e tij mund të thirren me 118 nënshkrime.

Pas deponimit të këtyre nënshkrime, sipas statutit të LDK-së, kryesia e partisë është e obliguar që ta thërres Kuvendit brenda 60 dite.

Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, shumë zyrtarë të lartë të LDK-së dhe degë të kësaj partie kanë shprehur pakënaqësi me këtë rezultat. Ata kanë kërkuar përgjegjësi nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe shpalljen e zgjedhjeve të brendshme.

Megjithatë, Abdixhiku ka injoruar këto kërkesa.

Ai ka bërë me dije se nuk e ka ndërmend që të dorëhiqet.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, e cila është mbajtur javën e kaluar.

I pyetur për iniciativën e shkarkimit, ai tha se ende nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare.

Sipas tij, zgjedhjet e rregullta për kryetarin janë parashikuar për vitin e ardhshëm, sipas Statutit.

"Ne kemi dalë prej një Kuvendi më 31 janar dhe një parti serioze matet me sa i përmbahet zotimeve të veta", ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se nëse do të ketë deponim të nënshkrime, sipas statutit do të thërres mbledhjen e Kuvendit.

"Çfarëdo nënshkrimi që deponohet, unë menjëherë, me Statut, e thërras Kuvendin. Ne s'jemi as të përhershëm e as qëndrojmë me forcë”, është shprehur ai.

Ai u bëri thirrje strukturave të partisë që debatet të zhvillohen brenda organeve të LDK-së.

"Do të doja që LDK të merret sa më pak me çështje që ndajnë LDK-në. Nuk e dua ndarjen e LDK-së", është shprehur Abdixhiku. /Nacionale/