Pas 10 muajsh heshtje, zbardhet e vërteta për Aurora Tilën/ Ish-i dashuri rrëfen vrasjen e 13-vjeçares shqiptare
Një kthesë e rëndësishme ka ndodhur në procesin gjyqësor për vrasjen e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila në Itali.
Ish-i dashuri i saj, tashmë 17 vjeç, ka pranuar për herë të parë se ishte ai që e shtyu nga ballkoni i një ndërtese në Piacenza, më 25 tetor 2024, duke i shkaktuar vdekjen.
Sipas mediave italiane, adoleshenti, i cili ishte vetëm 15 vjeç në kohën e ngjarjes, e bëri rrëfimin gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, duke hequr dorë nga pretendimet e mëparshme për pafajësi.
Ai u paraqit përmes një lidhjeje me video nga institucioni i të miturve në Catanzaro, ku po vuan dënimin prej 17 vitesh burg, të dhënë nga gjykata e shkallës së parë.
Përveç pranimit të autorësisë, i riu kërkoi falje për krimin dhe për faktin se kishte pritur kaq gjatë për ta pranuar atë.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka kërkuar një raport mbi sjelljen e tij gjatë qëndrimit në burg, pasi ndaj tij, sipas raportimeve, janë depozituar edhe denoncime të tjera për vepra penale.
Avokati Emilio Malaspina, që përfaqëson nënën e Aurora Tilës, e cilësoi rrëfimin si mbyllje të një kapitulli të dhimbshëm, por kërkoi që të mbetet në fuqi vendimi i shkallës së parë.
"Me këtë rrëfim mbyllet një rreth. Shpresojmë që Gjykata të konfirmojë dënimin e dhënë në shkallën e parë, i cili është i drejtë dhe proporcional me krimin", deklaroi ai.
Seanca e radhës në procesin gjyqësor është caktuar të mbahet më 10 shtator.