Rama superqokë për Vuçiç nga Parisi: Serbia beson te vlerat e BE-së, na bashkojnë shumë gjëra

Kryeministri i Shqipërisë duket se është i vendosur në rrugën për ta cilësuar Serbinë e Vuçiç si një aleat të ngushtë, pavarësisht se ky shtet vazhdon të luftojë kundër çdo përpjekje të shqiptarëve të Kosovës për tu shndërruar në arenën ndërkombëtare një shtet si gjithë të tjerët, me të drejta të plota. Ndërkohë që Serbia edhe pse udhëhiqet ende nga politikanë protagonistë të genocidit dhe luftërave të përgjakshme në Ballkan ndodhet shumë pranë anëtarësimit në BE, kurse Shqipëria e Ramës shumë më larg, ky i fundit vazhdon të bëjë piar ndërkombëtar për vendin e udhëhequr nga miku i tij Aleksandër.

“Me Serbinë ka shumë më tepër gjëra që na bashkojnë se gjëra që na ndajnë, edhe pse kjo dukej e pamundur deri vetëm pak kohë më parë, në momentin kur unë u bëra kryeministër përpara pak vitesh. Një prej gjërave që kemi të përbashkët është besimi në vlerat e BE-së dhe dëshira për të qenë pjesë e saj”, ka deklaruar Edi Rama, të premten në Paris, në Forumin e Global Positive i organizuar nën kujdesin e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Në vijim, Rama theksoi se jetojmë në një botë që përballet me probleme dhe sfida, por e drejta për të udhëhequr është ndër privilegjet më të mëdha që populli mund t’i japë dikujt.