Opera ‘Rozafa’ në TKOB, sopranoja Muho: Është një ringjallje e rëndësishme e fondit folklorik dhe etnografik shqiptar

Një thesar i fshehur artistik, i shkruar plot 55 vite më parë, do vijë si një premierë absolute botërore. Bëhet fjalë për të parën vepër shqiptare totalisht moderne, një krijim i vitit 1969 i zbuluar rastësisht nga regjisori Andi Xhoni, i cili e ka nxjerrë atë nga pluhuri i harresës për t'i dhënë jetë për herë të parë.

E veçanta e këtij projekti qëndron tek mungesa absolute e materialeve të mëparshme audio. Nuk ekziston asnjë regjistrim apo gjurmë historike e kësaj vepre; gjithçka që artistët kishin në dispozicion ishin vetëm notat dhe fjalët në letër. Për më tepër, struktura e saj muzikore është ndërtuar mbi një tekst në prozë dhe jo në poezi, duke thyer rregullat klasike të kohës dhe duke i dhënë një formë tërësisht novatore.

Kjo mungesë reference ka sjellë një sfidë titanike për solistët. Gjatë provave, u zbulua se ditët e para kanë qenë të mbushura me frikë dhe meraqe, një lloj paniku artistik për shkak të shkeljes në një territor plotësisht të pashkelur. Megjithatë, nën drejtimin e regjisorit dhe të dirigjentit Grid Kraja, i cili ka ndihmuar edhe në orkestrimin e veprës, kasti ka arritur të gjejë komoditetin dhe sigurinë e nevojshme për të nxjerrë në pah ngjyrat e personazheve.

Kasti i zgjedhur nga Teatri i Operas dhe Baletit bën bashkë emra të njohur si Denis Skura, Armando Likaj, Solen Alla, Bledar Domi dhe Nina Muho. Tre prej solistëve meshkuj do të mbajnë peshën e roleve të tre vëllezërve mitikë që ndërtojnë kalasë, role të cilat janë ndarë në mënyrë strikte duke u bazuar te shtrirja vokale, ndërkohë që ngjarja thekson edhe rolin qendror të Rozafës.

Kjo premierë pritet të mos jetë thjesht një ngjarje rutinë muzikore, por një ringjallje e rëndësishme e fondit folklorik dhe etnografik shqiptar, duke dëshmuar se si legjendat më të vjetra mund të vishen me petkun e një moderniteti të paimagjinueshëm për kohën kur u shkruan, tha sopranoja Nina Muho gjatë një intervistë në “Kafe Shqreto” në Syri tv me moderatorin Flavio Qarri.

FLavio Qarri: Si ndihesh njëherë që po ktheheni në një vepër kaq të rëndësishme, kaq të mirë ndoshta, kaq të madhe?

Nina Muho: Gjithmonë veprat që janë premierë, kanë një përgjegjësi ndryshe nga veprat e tjera sepse mundohesh që t'u japësh për herë të parë formën. T'i gdhendësh, të gjesh ngjyrat përkatëse të personazhit, dhe imagjinata është ndryshe nga veprat e tjera që ti dëgjon diku. Imagjinata dhe përmbajtja e veprës është ajo që të orienton për t'i dhënë atë bukurinë që vepra kërkon.

Flavio Qarri: Po për këtë vepër ti nuk ke asnjë gjë të regjistruar, një audio që ta dëgjosh?

Nina Muho: Jo, jo nuk ekziston asgjë.

Flavio Qarri: Nuk ekziston asgjë? Është vetëm letër?

Nina Muho: Po, vetëm letër.

Flavio Qarri: Dhe kjo është madhështore ë?

Nina Muho: Veprat premierë që bëhen për herë të parë, kjo është premierë botërore, gjithmonë vetëm në punën që ti bën në studio me pianistin, dhe aty mundohesh që t'i japësh formën, sigurisht në bashkëpunim me profesionistët përkatës. Në këtë rast është regjisori ynë Andi Xhoni. Kjo vepër është zbuluar prej tij.

Flavio Qarri: Ishte harruar fare që ekzistonte, apo nuk dihej?

Nina Muho: Nuk dihej që ekzistonte, dhe të mendosh që është një vepër që është shkruar në vitin 1969, është për t'u habitur se si tingëllon kaq moderne. Është vepra e parë shqiptare totalisht moderne, ndryshe nga ndonjë vepër që është bërë së fundmi që është gjysmë klasike dhe gjysmë moderne, pra është tentuar për të qenë moderne. Kurse kjo është totalisht moderne. Është një vepër e ndërtuar ana muzikore mbi një tekst në prozë, nuk është në poezi si shumica e veprave, dhe proza sigurisht që ndryshon dhe formën muzikore të ndërtimit të saj.

Flavio Qarri: Do të vijnë këtë herë me kolegë siç the...

Nina Muho: Me solistë të Teatrit të Operas dhe Baletit...

Flavio Qarri: Më lejo t'i ripërsëris: Denis Skura, Armando Likaj, Solen Alla, Bledar Domi dhe Nina Muho.

Nina Muho: Do të jenë pesë solistë, ku tre prej tyre do të jenë vëllezërit, që janë kontribuuesit në ndërtimin e kalasë, gjithashtu dhe Rozafa, rol të cilin unë do ta luaj për herë të parë dhe jam shumë e lumtur që më dhanë këtë mundësi.

Flavio Qarri: A keni një frikë që nuk ka gjurmë, po shkelni në një territor të pashkelur më përpara, nuk ka një historik, nuk ka një... Apo është kjo pjesa që e heq frikën? Që s'keni me kë mateni.

Nina Muho: Në qoftë se do ishe në ditët e para të punës që ne kemi nisur...

Flavio Qarri: Terrori që keni ndjerë...

Nina Muho: Aty do kuptoje vërtetë, sepse duhet edhe ta kuptosh pak veprën, je ti që e zbulon për herë të parë. Secili nga ne zbulon personazhin e tij, ka shumë meraqe, sigurisht që ka shumë frikë si fillim. Pastaj kur fillon dhe ti mësohesh me tingëllimin e saj, vepra merr formë, vendos edhe regjinë, ke një orientim ose ke një lloj sigurie që e sheh edhe nga brenda edhe nga jashtë veprën. Nga jashtë e sheh për shkak se ti arrin të kurosh disa gjëra tek vetja jote, përveç kritikave që profesionistët t'i japin. Më lejo të them që është bashkëpunimi im i parë dhe me regjisorin dhe me dirigjentin për një opera, dhe akoma më e veçantë për një opera që është premierë botërore, do të thoja për dirigjentin Grid Kraja, i cili është një profesionist shumë i mirë dhe na ka ndihmuar shumë.

Flavio Qarri: Ai ndihet i ri, i ri por është bërë veteran dhe Gridi.

Nina Muho: Na ka ndihmuar shumë siguria që ai ka në vepër sepse e ka ndihmuar në orkestrimin e veprës dhe e njeh jashtëzakonisht mirë, kështu që na ka krijuar një lloj komoditeti të themi, duke qenë se është për herë të parë dhe na ka dhënë siguri për interpretimin e veprës.

Flavio Qarri: Dhe patjetër ka një përmasë edhe më të rëndësishme për faktin se është pjesë e fondit tonë folklorik dhe etnografik. Megjithatë, ndonjëri nga çunat u mërzit për rolin e cilit vëlla kishte? Si i ndatë? Kush e zgjodhi vëllain e vogël?

Nina muho: Rolet janë të ndarë mbi bazën e shtrirjes vokale. Mbi bazën e rëndësisë....