Marbella, baza e kokainës në Europë/ Gazetari Manu Marlasca ngre alarmin: Grupet shqiptare kanë marrë hov në trafikun e drogës

Gazetari i njohur spanjoll i kronikës së zezë, Manu Marlasca, ka ngritur alarmin për zgjerimin e rrjeteve kriminale ndërkombëtare në Marbella, duke vënë në fokus edhe aktivitetin e grupeve shqiptare në trafikun e kokainës.

Sipas tij, Marbella është kthyer në një nga pikat kryesore ku negociohet dhe shpërndahet droga drejt Europës, ndërsa grupet shqiptare, sipas deklaratës së tij, kanë shënuar rritje të ndjeshme në këtë treg kriminal.

E gjithë kokaina që shpërndahet në Europë negociohet në Marbella. Në Marbella mund të gjesh grupe shqiptare që kohët e fundit kanë marrë një hov të madh në trafikun e kokainës”, deklaroi Marlasca.

Gazetari spanjoll e cilësoi Marbella-n si një “qendër të madhe të krimit të organizuar”, ku operojnë rrjete kriminale nga vende të ndryshme. Por në mesin e këtyre organizatave, ai veçoi edhe grupet shqiptare, duke i renditur mes aktorëve që sipas tij kanë zgjeruar praninë në trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Sipas Marlasca-s, në të njëjtën zonë veprojnë edhe grupe serbe, italiane, kolumbiane, irlandeze, si dhe organizata kriminale që vijnë nga Holanda, Suedia dhe Belgjika. Ai tha se secili grup ka fushat e veta të aktivitetit dhe se krimi i organizuar në Spanjë funksionon mbi bazën e rrjeteve të specializuara.

“Është një qendër e madhe e krimit të organizuar. Në Spanjë praktikisht çdo organizatë ndërkombëtare ka hapësirën e saj”, u shpreh gazetari.

Marlasca theksoi se rritja e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare në Marbella lidhet me trafikun e kokainës, një prej tregjeve më fitimprurëse të krimit në Europë. Sipas tij, zona luksoze spanjolle është kthyer në një pikë takimi për organizata të ndryshme që kontrollojnë rrjete të shpërndarjes së drogës dhe aktivitete të tjera ilegale.

Gazetari spanjoll foli edhe për mënyrën se si këto organizata ndahen sipas “specialiteteve”. Ai përmendi grupet serbe për trafikun e marihuanës, grupet italiane për vjedhjen e orëve luksoze gjatë sezonit turistik, ndërsa përmendi grupet gjeorgjiane si specialistë të grabitjeve në banesa.

Pjesë nga biseda:

Manu Marlasca: Gjithë kokaina që shpërndahet në Europë negociohet në Marbella. Në Marbella mund të gjesh grupe shqiptare që kohët e fundit kanë marrë një hov të madh në trafikun e kokainës. Ka grupe serbe, të cilat janë pronarët e marihuanës, pothuajse të gjithë marihuanës që trafikohet këtu në Katalonjë, për shembull. Ka irlandezë që tradicionalisht kanë qenë të vendosur atje dhe që janë zotër të këtij biznesi në veri, në Mbretërinë e Bashkuar. Ka grupe italiane, grupe kolumbiane, si dhe mafien e madhe që vjen nga Holanda, Suedia, Belgjika, edhe këtu për të shpërndarë, apo jo? Pra, është një qendër e madhe e krimit të organizuar.

Në Spanjë, praktikisht çdo organizatë ndërkombëtare kriminale gjen hapësirën e saj. Ka edhe specializime. Për shembull, gjeorgjianët janë specialistë më të mirë për vjedhjet brenda banesave. Janë mjeshtër të vërtetë. Madje është shumë interesante se si, kur shpërbëhet një grup gjeorgjian, siç ka ndodhur në Madrid dhe Barcelonë, papritur bien ndjeshëm vjedhjet në banesa, sepse ke goditur një grup që praktikisht i kishte monopolizuar ato.

Gazetari: Kompaninë, apo jo?

Manu Marlasca: Pikërisht, ishte grupi që praktikisht po e kontrollonte atë aktivitet. Për shembull, tani që vjen vera, grupet italiane, veçanërisht klanet napolitane, merren me vjedhjen e orëve luksoze. Dua të them që ka gjithçka.

Gazetari: Pra, vendosen atje, për shembull në Ibiza, dhe marrin fluturimin e ditës, bëjnë punën dhe ikin?

Manu Marlasca: Bëjnë sezonin, lëvizin në Ibiza, Madrid, Marbella, Barcelonë dhe vazhdojnë të marrin orë luksoze. Është befasuese saktësia që kanë. Nuk marrin një orë të zakonshme as rastësisht. E kanë syrin shumë të stërvitur, e kuptojnë menjëherë kush mban një orë të shtrenjtë dhe kush jo.