Zjarr në lagjen '15 Tetori' në Vlorë, flakët përhapen nga era pranë banesave
Një vatër zjarri është aktivizuar mëngjesin e kësaj të marte në lagjen “15 Tetori” të qytetit të Vlorës.
Zjarri ka përfshirë një hapësirë me pemë të llojit pishë dhe shkurre, të cilat ndodhen edhe pranë disa banesave të banuara në zonë. Për shkak të erës, flakët kanë nisur të përhapen duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Dyshimet paraprake janë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, me qëllim pastrimin e territorit nga barishtet dhe shkurret, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shkaqet e rënies së tij.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Kjo është vatra e dytë aktive e zjarrit e regjistruar në këtë zonë gjatë ditëve të fundit, duke rikthyer shqetësimin për situatën e zjarreve në lagjen “15 Tetori” të Vlorës.