Skema e 4.2 mln eurove/ Lapaj: Rama bëri 'ligj me porosi' për një kompani private, shkeli Kushtetutën

Adriatik Lapaj, avokat i “Shqipëria Bëhet”, i ftuar në studion e “Kafe Shqeto”, deklaroi se vendimi i qeverisë për të kaluar 4.2 milionë euro nga fondet publike për koncertin privat përbën një abuzim të rëndë dhe një shkelje të parimeve kushtetuese.

Lapaj tha se akti normativ i miratuar nga qeveria nuk plotëson kushtet e përcaktuara nga neni 101 i Kushtetutës, pasi nuk bëhet fjalë për një situatë emergjente apo një nevojë të jashtëzakonshme, por për financimin e një aktiviteti të planifikuar prej muajsh.

Sipas tij, qeveria ka përdorur një mekanizëm ligjor që duhet të shërbejë për raste si tërmete, pandemi apo fatkeqësi natyrore, për një rast konkret që lidhet me një kompani private dhe një shumë të përcaktuar parash. Lapaj tha se një akt normativ nuk mund të përdoret si një “ligj me porosi” për një subjekt të caktuar dhe se kjo çështje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar këtë vendimmarrje dhe për të kërkuar kthimin e fondeve në buxhetin e shtetit.

Ai theksoi se nuk mund të përdoret imazhi i Shqipërisë si justifikim për të financuar aktivitete private, pasi nëse ndiqet ky standard, shteti do të duhej të mbulonte çdo aktivitet që pretendon se sjell turistë. Lapaj e cilësoi këtë rast si një provë të rrezikshme të përdorimit të institucioneve publike jashtë qëllimit të tyre kushtetues.

Pjesë nga deklarata:

Po Rama është mësuar duke vjedhur, mo. Çfarë do të thotë tani, ç’ishte? Nuk është banale ajo. Nëse të duket banale, atëherë është problem. Ajo është... 4.2 milionë euro, për të cilat unë nuk e di nëse ndonjë nga ju aty e ka lexuar relacionin e aktit normativ, por unë po të them që nuk ka asnjë shpjegim se ku shkojnë.

Pra, i vetmi shpjegim është: thotë që në datën 3 korrik na është njoftuar nga kompania se nuk dalin lekët. Cilat lekë? Çfarë pune kemi ne me lekët e kompanisë? Kompanisë i dilnin lekët ta bënte, ta bënte; nuk i dilnin, të mos e bënte. Po mund të na njoftojë çdo kompani private nesër që nuk më dalin lekët. Çfarë do të bëjmë ne?

Është edhe argumenti që do të vinin 60 mijë turistë. Sa do të vinin? 60 mijë ishin të gjithë aty? Por atëherë edhe një disko që hapet në jug të vendit gjatë gjithë verës ka një qarkullim më të madh se 60 mijë turistë të huaj. Çfarë të bëjmë ne tani? Të subvencionojmë edhe diskot nëpër plazhe, se na prishet imazhi i Shqipërisë?

Domethënë, është qartësisht një skemë vjedhjeje të parave publike, e cila nga ana jonë është çuar në Gjykatën Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshme dhe për të mos lejuar që ky abuzim të ndodhë më në të ardhmen, si dhe që ato para të kthehen aty ku u takojnë, në buxhetin e shtetit.

Unë mendoj se ajo që ka bërë me koncertin është një problem shumë i madh për të. Ligjërisht e kam fjalën. Edhe në një shtet të shkatërruar si ky i yni, është një abuzim shumë i qartë, i cili nuk besoj, nuk besoj kurrë se do të arrijë të zhbëhet nga organet e drejtësisë.

Dua të të kujtoj se akti normativ me fuqinë e ligjit, ai që ka dalë praktikisht në datën 7 korrik, e ka të përcaktuar qartë edhe në emërtim se çfarë është. Është një akt normativ, pra është një akt që vendos norma dhe rregulla të përgjithshme, që nuk i referohet një individi, që nuk bën fjalë për një vlerë të përcaktuar qartë, por vendos një normë mbi të cilën individët apo subjektet në Shqipëri duhet të zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

Në këtë kuptim, akti normativ që ata kanë nxjerrë thyen të gjitha përcaktimet juridike që doktrina jonë njeh, pasi kanë nxjerrë një akt administrativ individual përmes Këshillit të Ministrave. Sepse ai është një akt që i referohet një subjekti konkret, me emër dhe me vlerë, që duhet t’i paguajmë filanit.

Unë di të të them që ne në fakultet, që në vit të parë, e mësojmë se është e pafalshme për një student të mendojë apo të hartojë një ligj me emër të posaçëm, një ligj të përveçëm. Ligjet nuk bëhen për individë apo kompani të caktuara. Ligjet bëhen për normën, bëhen për rregullin.

Një republikë që bën ligje me porosi për emra të veçantë është një republikë kartoni, e cila nuk mund të vazhdojë. Për pasojë, unë mendoj se Rama do të ketë një problem shumë të madh ligjor me veten e tij për këtë çështje, sidomos edhe Gonxhja. Për këtë jam i bindur. Kanë bërë një gabim shumë të madh me atë që kanë bërë.

Referuar Kushtetutës sonë, konkretisht nenit 101, një akt normativ brenda 5 ditëve duhet të shkojë në Parlament dhe brenda 45 ditëve duhet të verifikohet, të miratohet ose jo nga Parlamenti. Pra, fjalën e fundit e thotë Parlamenti në çdo rast.

Në Republikën tonë, në një republikë që nuk është më një republikë parlamentare, por është një republikë e dramës, do ta quaja unë, dhe nuk e ekzagjeroj, sepse është një republikë ku ata që janë aty në Parlament votojnë ashtu siç u thotë Edi Rama, sepse janë njerëz të emëruar nga Edi Rama, kjo nuk është e imagjinueshme të ndodhë. Në këtë kuptim, nuk realizohet filtri.

Duhet të keni parasysh se neni 101 i Kushtetutës parashikon dy kushte të panegociueshme, të cilat duhet të jenë kumulative, pra duhet të plotësohen patjetër që të jemi përpara një akti normativ.

Së pari, neni 101 thotë se Këshilli i Ministrave nxjerr akte normative si përjashtim nga rregulli, pra nxjerr një ligj, edhe pse ligjet duhet t’i bëjë Parlamenti, por në këtë rast Kushtetuta ia ka lënë qeverisë në raste të një nevoje të madhe, ekstreme.

Së dyti, duhet të ekzistojë edhe kushti i urgjencës. Pra, duhet të jemi përpara një nevoje dhe duhet të përmbushet kushti i urgjencës. Në rastin konkret, asnjëri prej këtyre dy kushteve nuk plotësohet.

Nuk jemi përpara një nevoje, sepse ne nuk kemi nevojë për një koncert. Ja, sot nuk ka koncert në Shqipëri të Kanye West dhe ne po e vazhdojmë jetën për bukuri, për bukuri thënçin, kështu siç jemi në Shqipëri, por jeta vazhdon.

Së dyti, nuk ka pasur asnjë urgjencë, sepse koncerti ka qenë i planifikuar dhe i publikuar që në datën 30 prill dhe shitja e biletave ka nisur në datën 6 maj.

Akti normativ nxirret në rastet e një tërmeti, të një gjendjeje të jashtëzakonshme, në rastet e një përmbytjeje të madhe, të një zjarri të madh që shkakton dëme, apo në rastet e një pandemie ku duhet të bëhet ndërhyrje për të blerë ilaçe dhe masa të tjera emergjente.

Ky është akti normativ me urgjencë, siç ishte akti normativ numër 9 për tërmetin në atë kohë.

Por një akt normativ që Edi Rama ta përdorë për t’i dhënë para një kompanie që mund të jetë e tij apo e njerëzve të afërt të tij, kjo nuk është më çështje ligji. Kjo është çështje vjedhjeje.