Pedri, një çështje kombëtare: De la Fuente duhet të vendosë nëse do ta rikthejë titullar

Vendimi për Pedrin është kthyer në një nga temat më të diskutuara në kampin e Spanjës përpara gjysmëfinales së Botërorit ndaj Francës. Luis de la Fuente duhet të zgjedhë nëse do t’i rikthejë vendin në formacionin titullar mesfushorit të Barcelonës, i cili një vit më parë zhvilloi një paraqitje magjike ndaj Francës në Ligën e Kombeve.

Ulja në stol e Pedrit në ndeshjen kundër Belgjikës është kthyer pothuajse në një “çështje kombëtare”. Figura të rëndësishme të futbollit spanjoll kanë dalë në mbrojtje të tij dhe kanë kërkuar që ai të luajë nga minuta e parë kundër Francës.

Jorge Valdano, një nga zërat më të respektuar të futbollit, ka insistuar për rikthimin e tij në formacion. Ndërsa presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, menjëherë pas mbërritjes në Dallas, deklaroi se mungesa e Pedrit në formacion ishte një çështje menaxhimi fizik. Edhe ish-mesfushori spanjoll Juan Carlos Valerón e cilësoi atë një lojtar “themelor” për skuadrën.

Në fakt, edhe pse nuk ka qenë në 100 për qind të formës fizike, Pedri ka pasur një paraqitje të shkëlqyer në fazën e parë të Botërorit. Ai ka qenë mesfushori që ka rikuperuar më shumë topa në gjysmën e fushës së kundërshtarit dhe njëkohësisht lojtari që ka dhënë më shumë pasime të sakta në zonën e fundit të sulmit.

De la Fuente, duke menduar edhe për sfidën ndaj Belgjikës dhe rrezikun që vinte nga mesfushori Tielemans (i cili më pas u dëmtua), zgjodhi të forconte mesfushën me Fabian Ruiz. Lojtari i PSG-së u paraqit mirë në minutat që luajti dhe është një prej futbollistëve më të besuar të trajnerit spanjoll.

Tani, De la Fuente duhet të marrë një vendim të vështirë. Rikthimi i Pedrit në formacion do të nënkuptonte largimin e Fabianit nga titullarët ose, alternativisht, spostimin e Dani Olmos në krah për t’i hapur vendin mesfushorit të Barcelonës. Por kjo nuk është një zgjedhje e thjeshtë, pasi Olmo po zhvillon paraqitje të shkëlqyera në atë rol.

Në mendjen e tifozëve spanjollë rikthehet edhe paraqitja e jashtëzakonshme e Pedrit ndaj Francës në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve në Shtutgart, një vit më parë. Në atë ndeshje, ai shënoi një gol spektakolar pas një aksioni individual, duke mposhtur portierin Mike Maignan me një goditje me këmbën e majtë.

Pikërisht ajo magji është ajo që Spanja kërkon nga Pedri në momentet vendimtare. Një lojtar i padiskutueshëm për cilësitë e tij, i cili, pavarësisht se kur shfaqet në lojë, mund të jetë vendimtar për ta çuar "La Roja"-n në finalen e 19 korrikut në Nju Jork.