Skandali me koncertin e dështuar/ Salianji: 4.2 milionë euro për dy orë, ndërsa QSUT-ja kërkon pajisje dhe ilaçe
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, gazetari Renaldo Salianji u shpreh se përdorimi i 4.2 milionë eurove nga fondet publike për koncertin privat është një tjetër dëshmi e keqmenaxhimit të parave të qytetarëve, në një kohë kur spitalet përballen me mungesë ilaçesh dhe pajisjesh jetike.
Salianji theksoi se një shumë e tillë mund të ishte përdorur për nevojat urgjente të QSUT-së, duke iu referuar mungesave të evidentuara në sistemin shëndetësor, ndërsa kritikoi vendimin e qeverisë për të financuar një aktivitet privat.
Ai ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si u menaxhua koncerti, duke thënë se shitja e dobët e biletave dhe ndërhyrja e shtetit krijojnë një precedent të rrezikshëm, ku humbjet e organizimeve private mbulohen nga buxheti publik. Sipas tij, ndërsa qytetarët përballen me probleme të rënda në spitale dhe shërbime bazë, qeveria zgjedh të shpenzojë miliona euro për spektakle.
Salianji u ndal edhe te pretendimi se anulimi i koncertit do të dëmtonte imazhin e Shqipërisë, duke e kundërshtuar këtë argument dhe duke thënë se dëmi i vërtetë për vendin është mungesa e ilaçeve dhe gjendja e sistemit shëndetësor. Ai kritikoi gjithashtu organizimin e eventit, duke përmendur problemet me infrastrukturën, menaxhimin dhe kushtet e zhvillimit të tij.
Pjesë nga deklarata:
Kërciti sepse, në këtë moment, 4.2 milionë euro për një koncert janë shpenzim luksi. Nuk mundet që ti të lësh spitalet pa ilaçe, të lësh, siç e kishim edhe në materialin e pak mëparshëm dhe te ajo që nxori dje kolegu Osman Stafa, që QSUT-ja të lypë para te njerëzit, dhe ti të çosh 4.2 milionë euro vetëm për dy orë koncert. Nga llogaria që Osmani kishte bërë për të gjitha ato pajisje që kërkonte QSUT-ja, shuma shkonte në 3.5 milionë euro.
Shteti i kishte këto para. Të gjithë linin lista me nevoja, me brakiterapi, me pajisje të ndryshme, sepse atje kishte që nga aparatura e brakiterapisë, që kushton 1 milion euro, deri te faksi, printeri dhe disa pompa infuzioni që as ato nuk i kanë dhe që kushtojnë 50 mijë lekë të vjetra. Të gjitha këto shkonin në 3.5 milionë euro nëse do të ishin blerë. Dhe me to do të ishin zgjidhur hallet e spitalit më të madh në vend.
Në këtë moment, kur ti i ke njerëzit pa ilaçe, kur e ke sistemin shëndetësor përtokë, kur e ke sistemin arsimor copë-copë, ti zgjedh të çosh 4.2 milionë euro për dy orë koncert të një subjekti privat, i cili në fund të ditës shiti biletat dhe paratë i mori ai që organizoi koncertin.
Ia falëm atij që organizoi koncertin. Sepse nuk është se shteti... Nuk e di, nuk e kam ndjekur, nuk isha në koncert, kam parë vetëm disa video.
Unë, ditën që mora vesh se kryeministri do të çonte 4.2 milionë euro, hyra në faqen e shitjes së biletave dhe më shumë se gjysma e stadiumit ishte bosh. Pra, dy-tre ditë para koncertit, gjysma e stadiumit ishte ende me ngjyrë jeshile, që do të thoshte se vetëm një pjesë e biletave ishin shitur. Kjo tregon se, për sa kohë që për tre muaj ishte shitur vetëm gjysma e stadiumit, dy ditët e fundit nuk do të shitej gjysma tjetër. Në atë moment koncerti ishte i dështuar. Por kjo krijon edhe një precedent të rrezikshëm.
Mblidhemi edhe ne dhe bëjmë një koncert, nuk i shesim dot biletat, i bëjmë një kërkesë qeverisë dhe na jep ato lekët e biletave. Pastaj çështja është: pse të bësh koncerte të tilla të mëdha kur ato bëhen me paratë e buxhetit të shtetit?
Po, e dëgjova edhe këtë argument... Por pse, me çfarë do të turpërohej Shqipëria? Se nuk e kuptoj. Që u anulua koncerti? Ndërkohë që gjysma e koncerteve të këtij këngëtari në Europë ishin anuluar. Disa ia kanë anuluar shtetet, disa i ka anuluar vetë këngëtari, ndërsa disa janë anuluar nga organizatorët sepse nuk janë shitur biletat.
Gjithashtu, kishte raste kur ai nuk ndihej mirë dhe, nga sa kam lexuar, edhe ditën e koncertit kishte precedentë që këngëtari e kishte anuluar vetë koncertin. Disa të tjera ia kishin anuluar për shkak të deklaratave të tij. Pra, nuk mund të turpërohet Shqipëria sepse u anulua një koncert.
Shqipëria turpërohet kur njerëzit vdesin në onkologjik sepse nuk kanë ilaçe. Pse nuk u turpëruan edhe për faktin që u anulua një koncert privat? Ishte një marrëdhënie mes dy privatëve. Një kompani merr një këngëtar dhe i thotë: "Hajde këndo në koncertin tim, unë të jap lekët dhe ti shkon në shtëpi". Për çfarë duhet të turpërohet Shqipëria këtu?
Gjithsesi, Shqipëria u turpërua, sepse po të shikoje komentet dhe vlerësimet që kishin bërë njerëzit për atë koncert, rreth e rrotull vendit të zhvillimit kishte plehra, menaxhimi ishte shumë i keq, cilësia e audios ishte shumë e dobët, njerëzit nuk dinin ku të hynin dhe ku të dilnin, nuk kishte transport dhe nuk kishte infrastrukturë.
Besoj se edhe ti ke qenë nëpër koncerte të mëdha. Infrastruktura e koncerteve të mëdha është një gjë tjetër nga ajo që kam parë në fotot dhe pamjet e publikuara nga ky aktivitet.