‘Po përgatit zgjedhjet e 2027-ës’, Kllogjeri: Me 4.2 milionët e koncertit, Rama e bëri Gonxhen 'ushtar të betuar'

Tenori Armando Kllogjeri komentoi përdorimin e 4.2 milionë eurove nga fondi i emergjencave për blerjen e biletave të një koncerti, duke akuzuar qeverinë se fondet publike po përdoren për interesa elektorale dhe jo për nevojat e qytetarëve.

I ftuar në emisionin Kafe Shqeto ai u shpreh  se, ndërsa artistët e rinj mbeten pa punë dhe shfrytëzohen me honorare të ulëta, miliona euro shpenzohen për projekte që i cilësoi të pajustifikueshme.

 Kllogjeri tha se pas këtij vendimi fshihet një skemë për krijimin e fondeve për zgjedhjet lokale të vitit 2027, ndërsa në fund hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai ka futur qëllimisht ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhen, në këtë aferë, për ta mbajtur nën kontroll dhe për ta pasur të ekspozuar përballë SPAK-ut nëse del nga rreshti.

Pjesë nga deklarata:

Të them të drejtën, nuk më bëri shumë përshtypje, sepse kryeministri e ka treguar se çfarë dëshiron të bëjë në këtë vend, e bën dhe nuk pyet njeri. Pra, nuk ishte ndonjë surprizë e madhe. Shumë të rinj artistë rrinë pesë-gjashtë vjet pranë Teatrit të Operës dhe Baletit duke kërkuar punë, shfrytëzohen me honorare jashtëzakonisht të ulëta dhe nuk arrijnë të punësohen, sepse nuk janë as patronazhistë dhe as pjesë e partisë.

Padyshim që këto fonde mund të ishin përdorur, siç e kanë thënë edhe shumë gazetarë dhe njerëz të artit, për shumë gjëra për të cilat Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë, sidomos për Akademinë e Arteve dhe për vetë artin, sepse po shuhet dalëngadalë prania e të rinjve që studiojnë muzikë. Impakti është shumë negativ dhe, kuptohet, të japësh 4.2 milionë euro për një natë dhe të mendosh se pas këtyre 4.2 milionë eurove do të gjenerohen 100 milionë euro, është absurde. Kjo është vetëm vazhdimësia e gënjeshtrës së radhës.

Pra, duhet ta kuptojnë shqiptarët, dhe ne bashkë me ta, se kryeministri, në 100 fjalë apo fjali retorike politike që përdor, 99.9% i ka gënjeshtra. Vetëm 0.1% është e vërtetë. Ai 0.1% është si pickimi i grerëzës për ata njerëz që e votojnë dhe janë të betuar pas tij. Mjafton t'u injektojë një fjali dhe ai është në rregull.

Shteti më i varfër i Europës të paguajë 4.2 milionë euro për një natë... Atëherë, së pari, po e nis nga vetja. Kur më kanë ftuar për të performuar në një opera, së pari bëhet një kontratë me këngëtarin, me individin. Pra, këngëtarin ta heqim nga kjo histori, sepse nuk ka lidhje fare me këto 4.2 milionë euro.

Së dyti, për të organizuar një aktivitet duhet të parashikosh mirë buxhetin tënd. Aktivitetet nuk bëhen që ti të përfitosh nga biletat dhe të fitosh para. Jo. Ti duhet të dalësh të paktën baras me projektin që bën, përmes sponsorëve, projektit që i dorëzon Ministrisë së Kulturës apo atij që i dorëzon Bashkisë së Tiranës. Dhe, në momentin që e sheh se projekti nuk e realizon anën financiare që ke menduar, atëherë nuk ke pse e merr përsipër ta vazhdosh. Pra, ky është...

Po, ky është një autogol që ka bërë kryeministri bashkë me ministrin e Kulturës, zotin Blendi Gonxhja. Por unë mendoj se ai këtë gjë e ka bërë për të parapërgatitur zgjedhjet lokale të vitit 2027, për të mbledhur para, për të krijuar fonde dhe për ta blerë votën më shtrenjtë. Sa më shumë të varfër të ketë Shqipëria, aq më shumë njerëzit do të kenë nevojë për para që të ushqejnë familjet e tyre.

Kështu që ai thotë: "Një votë sa e kam sot? 200 euro? Po e bëj 500 euro, se unë prapë ua kam marrë lekët këtyre." Bën një aktivitet tjetër, ngre një institucion tjetër, fut fonde te emergjencat, fiton disa miliona euro dhe u thotë shqiptarëve: "Hajde, votoni! Më jepni votën mua, se unë ua bleva të gjithëve."

Pra, unë mendoj se këto aktivitete dhe këto fonde i përdor edhe në funksion të zgjedhjeve lokale që po afrohen.

Dhe, e fundit fare, që ta mbyll, sepse ndoshta e zgjata, mendoj se tani e ka vënë nën kontroll edhe ministrin e Kulturës dhe i ka thënë: "Tani nuk do të jesh vetëm ushtar i bindur, por ushtar i betuar që të japësh jetën për mua, sepse me këtë lëvizje që bëra, unë të çoj në SPAK kur të dua."

Pra, i ka thënë që do ta bëjë këtë veprim dhe nuk do t'i dalë më nga rreshti. Tani, edhe ai nuk është se ka shumë besim te njerëzit që ka rreth e rrotull dhe kërkon të jetë i sigurt.