Deschamps: Spanja është favorite, por gjysmëfinalja do të jetë spektakolare
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, e ka cilësuar Spanjën si favorite për gjysmëfinalen e Botërorit 2026, por është shprehur i bindur se përballja në Dallas do të jetë një duel i hapur mes dy prej kombëtareve më të forta në botë.
“Po, e konfirmoj se Spanja është favorite. Ajo që ka treguar gjatë këtij Botërori e justifikon këtë vlerësim. Nuk dua t’i shtoj presion Luis de la Fuentes, sepse ai e di mirë se sa shumë pret publiku nga kjo skuadër. Spanja sulmon dhe mbron në mënyrë të shkëlqyer, pasi ka pësuar vetëm një gol në shtatë ndeshje. Mendoj se do të shohim një spektakël mes dy ekipeve me cilësi të jashtëzakonshme në fazën sulmuese”, deklaroi Deschamps.
Tekniku francez vlerësoi edhe talentin e Lamine Yamal-it, por theksoi se edhe Franca ka armët e saj për të bërë diferencën.
“Ne i njohim pikat e forta të Spanjës dhe jam i sigurt se edhe ata i kanë studiuar lojtarët tanë. Gjithçka do të varet nga aftësia e futbollistëve për të bërë diferencën në fushë. Nuk është aspak e lehtë të fitosh duelet një kundër një ndaj lojtarëve tanë”, u shpreh ai.
Deschamps theksoi se përvoja në ndeshje të tilla ka peshën e vet, por nuk garanton suksesin. “Kjo është hera e tretë që përballemi me Spanjën në një gjysmëfinale. Përvoja të ndihmon të përshtatesh me situata të ndryshme, por futbolli mbetet gjithmonë i paparashikueshëm.”
Trajneri francez foli edhe për Kylian Mbappe-në, i cili është stërvitur normalisht dhe pritet të udhëheqë sulmin e “Gjelave”.
“14 korriku është një ditë simbolike për Francën. Nuk e dija që ishte hera e parë që luanim pikërisht në këtë datë. Shpresojmë ta festojmë me një fitore dhe të sigurojmë një vend në finalen e Botërorit”, përfundoi Deschamps.