De la Fuente ‘kërcënon’ Francën: Dita e madhe e Lamine Yamal-it në Botëror ende nuk ka ardhur
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, është shfaqur optimist në konferencën për shtyp përpara gjysmëfinales së Botërorit 2026 ndaj Francës. Numri një i stolit iberik beson se skuadra e tij është gati për sfidën dhe se momenti i madh i Lamine Yamal në këtë turne është ende përpara.
“Lamine duhet të jetë i qetë dhe ta shijojë këtë eksperiencë. Nuk ka nevojë për ankth. Jam i bindur se dita e tij e madhe në këtë Botëror ende nuk ka ardhur. Shpresoj të jetë nesër, ose në finale nëse arrijmë të kualifikohemi”, deklaroi De la Fuente.
Trajneri spanjoll vlerësoi maksimalisht Francën, por theksoi se edhe Spanja ka armët për ta fituar ndeshjen. “I njohim shumë mirë. Kanë futbollistë të jashtëzakonshëm, por edhe ne kemi lojtarë të nivelit më të lartë. Duhet të imponojmë stilin tonë dhe të kufizojmë pikat e forta të kundërshtarit.”
I pyetur nëse Spanja është favorite, ai minimizoi çdo etiketim. “Nuk ka asnjë rëndësi kush konsiderohet favorit. Në fushë zbresin dy kombëtare të mëdha dhe ndeshja do të vendoset nga ajo që do të ndodhë gjatë 90 minutave.”
De la Fuente pranoi se Franca është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me Europianin e vitit 2024, por shtoi se e njëjta gjë vlen edhe për Spanjën. “Ata janë bërë më të fortë, por edhe ne kemi evoluar si ekip.”
Tekniku spanjoll pati fjalë vlerësuese edhe për Kylian Mbappe-në, i cili është kritikuar gjatë Botërorit. “Kritikat janë pjesë e futbollit, por për mua Mbappe është një futbollist fenomenal. Jam admirues i lojtarëve të mëdhenj dhe ai është pa diskutim një prej tyre.”
Në fund, De la Fuente foli edhe për filozofinë e tij. “Nuk arrihen sukseset e mëdha pa sakrifica. Nëse dëshiron të fitosh diçka të rëndësishme, duhet të vuash. Unë lutem çdo ditë, por jo që të fitojmë ne. I kërkoj Zotit vetëm shëndet, sepse nuk do të ishte e drejtë të kërkoja që të mos ndihmonte kundërshtarin.”