Italia kërkon trajner: Pirlo futet në garë, Guardiola mbetet ëndrra e Maldinit dhe Leonardos
Federata Italiane e Futbollit është në kërkim të trajnerit të ri të Kombëtares, ndërsa Paolo Maldini dhe Leonardo po shqyrtojnë të gjitha alternativat për t'i besuar drejtimin e "Axurrëve" profilit më të përshtatshëm. Mes emrave në listë është shfaqur edhe Andrea Pirlo, i cili konsiderohet si një opsion serioz nëse dështon tentativa për të bindur Pep Guardiolën.
Sipas mediave italiane, Guardiola mbetet objektivi kryesor, por realizimi i kësaj piste shihet shumë i vështirë. Për këtë arsye, Pirlo është ngjitur në listën e kandidatëve për të udhëhequr Italinë drejt Euro 2028 dhe, më pas, Botërorit 2030.
Maldini e ka vlerësuar prej kohësh ish-mesfushorin legjendar, madje kishte menduar ta emëronte trajner të Milanit në vitin 2023. Edhe Leonardo ka pasur një raport të ngushtë me Pirlon, pasi vite më parë dëshironte ta transferonte te PSG-ja, përpara se italiani të kalonte te Juventusi.
Aktualisht 47-vjeçari drejton një skuadër në Dubai, pasi më parë ka punuar te Karagumruk dhe Sampdoria. Përvoja më e rëndësishme në pankinë mbetet ajo te Juventusi, ku fitoi Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë.
Një nga avantazhet e Pirlos është marrëdhënia e shkëlqyer me Maldinin dhe Leonardon, çka do të lehtësonte bashkëpunimin me drejtuesit e rinj të federatës. Ndërkohë, në garë vazhdojnë të mbeten edhe Roberto Mancini, Antonio Conte, Carlo Ancelotti dhe Stefano Pioli, emra që ofrojnë më shumë eksperiencë në nivelet më të larta.
Vendimi për trajnerin e ri pritet të merret deri në fund të javës dhe më pas t'i paraqitet presidentit Giovanni Malagò, për të nisur zyrtarisht një epokë të re në krye të Kombëtares italiane.