Francë-Spanjë, supersfida për një vend në finalen e Botërorit: Mbappe sfidon Yamal-in
Botërori 2026 hyn në javën e tij vendimtare me një përballje që shumë e konsiderojnë si finalen e parakohshme. Franca dhe Spanja do të ndeshen këtë të martë, në Dallas, për të siguruar një vend në finalen e madhe të 19 korrikut, në "MetLife Stadium", ku fituesi do të përballet me Anglinë ose Argjentinën.
"Gjelat", që eliminuan Marokun në çerekfinale, dhe "La Roja", që kaloi Belgjikën me rezultatin 2-1, rikthehen përballë njëra-tjetrës dy vjet pas gjysmëfinales së Euro 2024, të fituar nga spanjollët. Edhe këtë herë, vëmendja do të jetë e përqendruar te dueli mes dy ‘yjeve’ të futbollit botëror, Kylian Mbappe dhe Lamine Yamal.
Historia e fundit favorizon Spanjën. Përveç triumfit në Euro 2024, skuadra e Luis de la Fuente fitoi edhe gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve në vitin 2025 me rezultatin spektakolar 5-4, në një ndeshje ku Yamal realizoi dy gola, ndërsa Mbappe shënoi një.
Megjithatë, këtë herë Franca vjen me një profil ndryshe. Ekipi i Didier Deschamps ka qenë ndër më bindësit e turneut, duke mos pësuar asnjë gol në fazën me eliminim direkt dhe duke kaluar me sukses Norvegjinë, Suedinë dhe Marokun. Në anën tjetër, Spanja ka hasur më shumë vështirësi, duke siguruar kualifikimin ndaj Portugalisë dhe Belgjikës falë golave vendimtarë të Mikel Merinos në minutat e fundit.
Deschamps pritet të rikuperojë Aurelien Tchouameni, i cili do të formojë dyshen e mesfushës me Adrien Rabiot, ndërsa në sulm Mbappe do të mbështetet nga Ousmane Dembele, Michael Olise dhe Desire Doué. Ndërkohë, De la Fuente nuk pritet të bëjë ndryshime në formacionin që mposhti Belgjikën, me Fabian Ruiz titullar dhe Merinon sërish si armë nga stoli.
Takimi do të nisë në orën 21:00 dhe do të gjykohet nga arbitri salvadorian, Ivan Barton. Fituesi do të jetë vetëm një hap larg ngritjes së trofeut më të rëndësishëm të futbollit botëror.