'Zgjidhja, vetëm largimi i Ramës'/ Paloka: Bojkoti i parlamentit, reagim i opozitës ndaj një demokracie fasadë
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi se qeveria e Edi Ramës nuk përfaqëson më shumicën e qytetarëve. I ftuar në një intervistë me moderatorin Edvin Parruca, Paloka tha se edhe persona që e kanë votuar më herët kryeministrin sot janë pjesë e protestave dhe kërkojnë dorëheqjen e tij.
Sipas Palokës, arroganca ka karakterizuar qeverisjen e Ramës që prej ardhjes në pushtet, ndërsa kritikoi edhe dialogun me mazhorancën.
“Ka vetëm një kërkesë dhe ajo është largimi i Ramës dhe qeverisë së tij”, u shpreh Paloka, duke shtuar se opozita nuk duhet të bëhet pjesë e asaj që ai e quajti “fasadë demokracie”. Ai mbrojti gjithashtu bojkotin e parlamentit, duke thënë se qeveria nuk ka reaguar ndaj kërkesave të qytetarëve.
Paloka:
Qëndrimi i...nuk mund t'i themi maxhorancës, se në fakt është tashmë fakt i provuar që kjo nuk ka qenë maxhorancë as në zgjedhjet e 11 majit e për më tepër nuk është maxhorancë sot kur në shesh apo në rrugë kanë dalë mijëra e mijëra qytetarë. Një pjesë e madhe e të cilëve pranojnë se kanë votuar Ramën në zgjedhjet e kaluara. Pra, nga ata që sot kundërshtojnë dhe kërkojnë dorëheqjen e Ramës, një pjesë e madhe... është fakt i qartë, sepse kanë qenë edhe publike edhe në faqet e tyre sociale. Pra, edhe nga ata që realisht e kanë votuar Ramën, dhe jo ata që janë shitur, janë vjedhur, janë blerë në zgjedhjet e fundit, por dhe nga ata pra që e kanë votuar për arsyet e tyre Ramën në zgjedhjet e fundit, sot janë në rrugë dhe kërkojnë dorëheqjen e tij. Pra, kjo nuk është, nuk ka qenë dhe nuk është për më tepër sot maxhorancë.
Megjithatë në parlament Rama vazhdon të ketë numrat dhe në këtë aspekt mund të quhet maxhorancë. Nuk është një sjellje e kohëve të fundit kjo që ju përmendët. Arroganca është karakteristika më thelbësore e kësaj maxhorance që nga dita e parë që ka ardhur në qeveri e deri më sot, e karakterizon më mirë se kushdo vetë i pari i asaj partie dhe i kësaj qeverie. Rama që në momentin e parë, jo vetëm me opozitën, por dhe me qytetarët, madje dhe me socialistët, ka qenë arrogant, vazhdon të jetë arrogant dhe e gjithë kjo sjellje e tij pra, është thjesht një vazhdimësi e mënyrës sesi ai ka pushtetëruar, sepse për të qeverisur nuk ka qeverisur kurrë.
Pra nuk është ndonjë gjë për t'u habitur në këtë, ta quaj me delikatesë, indiferencën e fundit ndaj propozimeve jo vetëm të opozitës, që thashë ka qenë në vazhdimësi e tillë, por dhe të qytetarëve që janë në rrugë. Dhe thashë, dhe jo pa qëllim e ritheksoj, të atyre që e kanë votuar Ramën. Një pjesë e atyre që e kanë votuar Ramën dhe që sot, përveç atyre të penduarve që keni dëgjuar edhe shprehje aty në protestë që thonë "do doja të prisja duart që kam hedhur votën për Ramën" e të tjera, por dhe një pjesë tjetër që thjesht i kërkojnë të reflektojë. Domethënë, që për mua është absurde kërkesa ndaj Ramës për të reflektuar, sepse në fakt nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodhë ndonjëherë. Ka vetëm një kërkesë te ato pesë. Pavarësisht se ne në njëfarë mënyre për mbështetje të protestës kemi reaguar në parlament duke parashtruar të pesë kërkesat që nuk lidhen pra me dorëheqjen e Ramës, po me ndryshime ligjore dhe rregullime ligjore, gjë që në fakt unë as nuk kam qenë dhe as nuk do të jem kurrë dakord, pasi jo vetëm ne si opozitë, por besoj tashmë dhe qytetarët janë koshientë që duhet të ketë vetëm një kërkesë dhe ky është largimi i Ramës dhe qeverisë së tij. Nuk mund t'i kërkohet Ramës të përmirësojë apo të rregullojë gabimet e tij, sepse ato që quhen gabime në fakt janë faje të kryera me vetëdije të plotë. Megjithatë thashë, ne si opozitë kemi kërkuar në parlament të rishikohen ligje që ne i kemi kundërshtuar prej kohësh.
Ligje për investime strategjike, të gjitha ligjet pra që u përmendën... po i rikthejmë dhe një herë në parlament. Por që edhe ne jemi të vetëdijshëm që thjesht Rama do të vazhdojë të ketë këtë qëndrim dhe as nuk pritet qëndrim tjetër. Kjo është një nga arsyet që ne bojkotojmë parlamentin, pra mosreagimi edhe mbas protestave në rrugë të kësaj qeverie. Dhe arsye tjetër që mund të duket më minore, por që unë e kam theksuar dhe ngritur edhe në grup, është rrethimi i parlamentit. Ka disa seanca që parlamenti rrethohet nga forca të shumta policie, edhe sot që nuk kishte as protestë të shpallur as reagim, parlamenti ka qenë i rrethuar. Pra, si mundet një parlament... ne jemi përfaqësuesit e popullit. Edhe ne, dhe ata e quajtura maxhorancë, janë aty si përfaqësues të popullit. Si mund të mbahet një parlament i rrethuar për të na mbrojtur ne përfaqësuesve të popullit prej popullit? Domethënë, edhe kjo është një absurditet i papranueshëm dhe kjo ka qenë dhe një nga arsyet që unë i kam kërkuar grupit pikërisht që ne të reagojmë në këtë mënyrë, pra mos të bëhemi pjesë, ose mos pranojmë të jemi pjesë e asaj që po konsiderohet tashmë si fasadë demokracie. Dhe pa të lejuar ta bësh pyetjen tjetër, e gjithë kjo që po ndodh do sjell pak në kujtesë këtë reagimin e këtij shefit të OSBE-së këtu në Tiranë.
Pse unë gjithmonë kam këmbëngulur që qëndrimet tona të jenë radikale në të gjitha rastet. Si tha ai zotëria? "Edhe është normale," tha, "këto protesta të bukura," tha, "ka lezet, shenjë demokracie." Domethënë "as incidente nuk ka, edhe qeveria vazhdon punën, edhe ata vazhdojnë protestat, kjo është demokracia." Ndërkohë që këtu protestohet në radhë të parë sepse nuk ka demokraci. Pra ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj fasade në thonjëza të bukur demokracie, siç tha ai zotëria. Ai zotëria nuk e di unë a e sheh të vërtetën ashtu, mbase është i ri, se unë hera e parë që e shihja në fakt, po kjo sjellje për fat të keq e ambasadorëve këtu është bërë tashmë rutinë. Domethënë që ndahen e flasin "protesta normal, demokracia kështu funksionon, parlamenti funksionon, ka debate, po kështu është parlamenti, ka një palë këtej, një palë andej." Pra, po ta shohësh shumë nga lart, nga ai globi, mund të duket dhe si demokraci kjo. Problemi është se është krejt e kundërta në Shqipëri. Dhe ne edhe një herë e përsëris, nuk mundet opozita ta lejojë që të bëhet pjesë e kësaj fasade, e kësaj asistence demokratike të, në fakt, një regjimi diktatorial, siç është ky i Ramës. Për të gjitha këto arsye, unë kam qenë dhe vazhdoj të jem jo thjesht për bojkotin e këtyre seancave, por që opozita të mos ulet në asnjë tavolinë me Edi Ramën. Ne nuk mund të vazhdojmë të ulemi në tavolina të rreme, falso, sepse kështu mashtrojmë jo vetëm qytetarët, por mashtrojmë dhe veten. Në qoftë se ende mendojmë që mund të ulesh në tavolinë të diskutosh me Ramën dhe të zgjidhësh probleme, atëherë i bie që ne jemi jashtë realitetit.
Të gjitha këto janë... gjithë ky kompleks që ti përmende është i vërtetë. Dhe vërtet edhe grupi parlamentar, opozita në parlament është në këto vështirësi sjelljeje, sepse çdo hap që të ndërmarri do të ketë reagime, do të ketë pasoja direkte dhe indirekte. Është presioni i ndërkombëtarëve, por unë mendoj që tashmë ne këtë të ashtuquajtur presion të ndërkombëtarëve duhet ta lëmë mënjanë, sepse për fat të keq, deri më sot, ka treguar që më shumë është drejtuar ndaj opozitës sesa ndaj një qeverie dhe një regjimi diktatorial. Megjithatë, brenda këtij presioni, le të themi, ka dhe këshilla miqsh. Miqsh realë të shqiptarëve dhe të opozitës, që na e rekomandojnë këtë sjellje. Dhe prandaj është e vërtetë që grupi është në një dyzim, pavarësisht... unë vetë nuk jam në asnjë dyzim se kam pasur këtë qëndrimin tim. Në njëfarë mënyre unë justifikoj dhe pjesën tjetër të shumicës së grupit, sepse shumica e grupit kështu ka vendosur, që ne duhet të jemi në këto tryeza. Jo vetëm prej presionit ndërkombëtar, po dhe prej kërkesave që ka pasur edhe brenda, herë tjetër kur ne jemi larguar nga tryeza na është thënë pse u larguat, sepse po të ishit aty do kishit influencuar, gjë që në fakt, edhe një herë kthehem në pozicionin tim, nuk është e vërtetë. Rama kurrë as nuk ka pranuar, as nuk pranon dhe as nuk do të pranojë ndonjëherë në situatë normale që të sillet si një njeri normal. Arroganca është tipari i tij kryesor. Në momentin që ai ndihet i fortë, ai nuk të llogarit as opozitën, as popullin, as kërkënd. Prandaj unë vazhdoj të jem i bindur që rruga e uljes në tryezë me Ramën nuk është rruga e zgjidhjes.
Sepse ka vetëm një zgjidhje. Vërtet, duke u ulur në tryezë mund të bësh ndonjë sfumim, të lëmosh diçka në kodin zgjedhor apo në reformën territoriale, gjë që për mua as kjo s'ka për të ndodhur. Po nuk është ky thelbi. Nuk rregullon asgjë, përkundrazi, i jep edhe një herë atë idenë sikur ja u rregullua diçka, kërkoi opozita nja dy gjëra, e legjitimon atë, e legjitimon këtë sjellje dhe këtë arrogancë dhe e legjitimon në fund fare regjimin. Sepse Rama kurrë nuk do të lejojë dhe nuk do të tolerojë asgjë nga ato që cenojnë pushtetin e tij. Dhe që në momentin që ai nuk mund të lejojë zgjedhje të lira, sepse zgjedhjet e lira direkt do të thonë largimi i Ramës nga pushteti, ai këtë nuk do ta lejojë kurrë. Atëherë pse ne duhet të vazhdojmë dhe t'i japim atij kredite, që ta paraqesim si një njeri që gjoja ulet nëpër tryeza, diskuton, po në fund fare vendos parlamenti ku ai është shumicë dhe kaq, kjo është demokracia, në fund vendos shumica. Në fakt nuk është ashtu, sepse këtu asgjë nuk është më demokratike.
Këtu kemi një satrap, kemi një sundimtar, që nuk pyet më as për ligje, për asgjë. Dhe provat i kemi të përditshme. Edhe sot që njerëzit janë në rrugë, kemi prova të kësaj që po them. Sot ne kemi bërë një denoncim për rastin e koncerteve, për 4.2 milionë eurot që u hodhën sikur t'i kishte Rama paratë e xhepit. Edhe po i paguante për prostitutat e veta. Ndërkohë që Shqipëria është në atë gjendje që është. "Albanian files", libri që u bë publik pak kohë më parë, është një provë tjetër e faktit që Rama mendon se ai është zoti i këtij vendi, është pronari i këtij vendi, ne jemi thjesht skllevërit e tij, e gjithçka.